Bota e sportit elitar është mësuar me sakrifica ekstreme, sidomos kur bëhet fjalë për medalje olimpike. Por një akuzë e fundit ka kaluar çdo kufi të imagjinatës. Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) ka nisur hetimet për një praktikë të pazakontë, sipas së cilës disa sportistë të ski-jumping dyshohet se kanë injektuar acid hialuronik në organin gjenital për të fituar avantazh aerodinamik. Skandali u raportua fillimisht nga gazeta gjermane 'Bild' dhe ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv ndërkombëtar para Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 që çelen sot.

Acidi hialuronik përdoret zakonisht në mjekësinë estetike si filler për rritjen e vëllimit të indeve, përfshirë edhe procedurat për zmadhimin e perimetrit të penisit. Sipas ekspertëve të urologjisë, injektimi i tij do ta bënte organin më të madh në perimetër, por efekti është i përkohshëm dhe kërkon përsëritje çdo 6 deri në 12 muaj.

Ç’lidhje ka kjo me ski-jumping? Para fillimit të sezonit, sportistët maten me skaner 3D për të përcaktuar përmasat e kostumit të tyre, i cili është rreptësisht i rregulluar nga Federata Ndërkombëtare. Çdo centimetër shtesë në trupin e matur mund të përkthehet në një kostum pak më të madh, me sipërfaqe më të gjerë, që krijon më shumë ngritje në ajër dhe mund të sjellë disa metra shtesë në fluturim. Sipas specialistëve të biomekanikës sportive, edhe një rritje e vogël e sipërfaqes së kostumit mund të ndikojë ndjeshëm në performancë.

Megjithatë, rreziqet shëndetësore janë serioze. Mjekët paralajmërojnë se injektimi i acidit hialuronik në penis mund të shkaktojë dhimbje, deformime, infeksione, probleme dhe mosfunksionim seksual. Në raste të rralla, infeksioni mund të përhapet dhe të çojë në nekrozë të indeve, madje edhe në humbjen e organit.