MILANO, Itali - Ngjyra, këngë, balet dhe fishekzjarre. Kështu nisi ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore ‘Milano Cortina 2026’, duke i dhënë jetë garimit dhe parakalimit të 5 mijë sportistëve në 13 disiplina sportive dimërore, për Lojërat që rikthehen në Itali pas 20 vitesh, pasi për herë të fundit ishin mbajtur në Torino 2006. Flaka olimpike e ndezur mbërriti në 'San Siro' duke i hapur rrugë nisjes së Olimpiadës.
Shqipëria, e cila do përfaqësohet për herë të parë me katër sportistë, ia ka besuar skive një nder të tillë. Kuqezinjtë do shpresojnë për një medalje te Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.
Shpresat janë te Lara Colturi, italo-shqiptarja e cila në Kupën e Botës mbetet në pozitën e gjashtë, por që mund t’i ofrojë për herë të parë Shqipërisë një medalje në Olimpiadën Dimërore, pikërisht në vendlindjen e saj. Më 15 dhe 18 shkurt Lara do jetë në pistë.
Parakalimi i Shqipërisë dhe mungesa në ‘San Siro’
Ndërkohë që ceremonia kryesore hapëse po zhvillohej në ‘San Siro’, dy të tjera po ndodhnin në pozicione të ndryshme ku janë shpërndarë sportistët sipas garave. Në Cortina d'Ampezzo, me flamurin e Shqipërisë në dorë, italo-shqiptarja Lara Colturi udhëhoqi delegacionin kuqezi, ndërsa në Livigno, Denni Xhepa ka mbajtur flamurin me dy krena.
Kosova
Flamuri i Kosovës u valëvit në Cortina dhe Livigno gjatë parakalimit të delegacionit 'Dardan'. Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026'.
Ceremonia hapëse në ‘San Siro’
Me 67 mijë tifozë në stadium, të gjitha biletat ishin të shitura për këtë shfaqje jo vetëm sportive. Ceremonia u hap me vallëzimin e Claudio Coviello dhe Antonella Albano, balerinave të La Scala.
Matilda De Angelis me shkopin e dirigjimit në skenë, doli dhe udhëhoqi ceremoninë. Përreth saj ishin figurat që mbajtën maska me fytyrat e kompozitorëve të mëdhenj italianë. Më pas kishte vend edhe për homazhet në nderim të Raffaella Carrà dhe Giorgio Armanit.
Në diva si Mariah Carey këndoi në italisht ‘Bel blu dipinto di blu’, për t’i lënë vendin Laura Pausinit, e cila këndoi himnin Italian dhe flamuri i këtij shteti u valëvit në stadium, me pesë rrathët olimpikë që ‘zbritën’ në fushë dhe u ndriçuan nga fishekzjarret.
Parada e delegacioneve dhe fërshëllimat
Gjithçka nisi me Greqinë, për t’i lënë vendin sportistëve dhe delegacioneve nga të gjitha vendet pjesëmarrëse. Në fund gjithçka u mbyll me parakalimin e 77 sportistëve të Italisë. Nuk munguan fërshëllimat kur delegacioni i Izraelit kaloi në pistë, apo kur J.D. Vance u shfaq në ekran. Duartrokitje pati për sportistët e Ukrainës.
Liderët
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë emra të rëndësishëm të politikës italiane dhe botërore, përfshi zëvendëspresidentin e SHBA-së, J.D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio. Edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ndodhej në 'San Siro'.
Tanimë pas ceremonisë hapëse, do jetë radha e 5 mijë sportistëve që do kërkojnë medalje për kombet e tyre në garat që do zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt.

Lara Colturi, e cila parakaloi në Cortina si flamurmbajtëse e Shqipërisë, ishte me nënën e saj Daniela Ceccarelli, ish-kampione olimpike me Italinë në Salt Lake në vitin 2002. Daniela është trajnerja e Larës.

Presidenti Bajram Begaj, i cili ndodhet në Itali, në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore, ku marrin pjesë edhe 4 skiatorë shqiptarë, e ka cilësuar këtë moment si një moment krenarie dhe përfaqësimi dinjitoz për vendin tonë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj teksa ka uruar 4 sportistët tanë, Lara Colturi, Lisa Brunga, Semire Dauti dhe Denni Xhepa, ka falënderuar edhe Presidentin e Italisë, Sergio Mattarella për mikpritjen.
“I nderuar që së bashku me miq te mirë u mikpritëm nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella në ceremonitë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano- Cortina 2026.
Ky është një moment krenarie dhe përfaqësimi dinjitoz për vendin tonë. Uroj që sportistët tanë – Lara Colturi, Lisa Brunga, Semire Dauti dhe Denni Xhepa – të na bëjnë krenarë me paraqitjen dhe shpirtin e tyre garues. Forca Shqipëri!”, ka shkruar Begaj në rrjetet sociale.
Ndërkoëhë për këtë moment ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale i ka uruar suksese 4 skiatorëve shqiptarë.
Rama teksa ka publikuar edhe një video nga ceremonia, ka shkruar se flamuri kuqezi po valëvitet në ‘San Siro’, një moment që bën krenar çdo shqiptar.
“Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro”, në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore, Milano Cortina 2026! Suksese Lara, Denni, Lisa dhe Semire”, ka shkruar Rama.

Shqipëria, e cila do përfaqësohet në Lojërat Olimpike Dimërore të ‘Milano Cortinës 2026’ me katër skiatorë, ka bërë parakalimin e saj në këtë event. Ndërkohë që ceremonia kryesore hapëse po zhvillohet në ‘San Siro’, dy të tjera po ndodhin në pozicione të ndryshme ku janë shpërndarë sportistët sipas garave.
Në Cortina d'Ampezzo, me flamurin e Shqipërisë në dorë, italo-shqiptarja Lara Colturi ka udhëhequr delegacionin kuqezi, ndërsa në Livigno, Denni Xhepa ka mbajtur flamurin.
Shqipëria përfaqësohet në Olimpiadën Dimërore me 4 skiatorët, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti.
Datat e garimit:
Më 11 shkurt: Denni Xhepa do të jetë në garën e Slalomit Gjigand që starton nga ora 11:30 në Bormio.
Më 14 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalom që starton në orën 11:30 në Bormio.
Më 15 shkurt: Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigand në orën 10:00 dhe lëshimi i dytë në 13:30 (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.
Më 16 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalomit në orën 10:00 në Bormio.
Më 18 shkurt: Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën Slalomit në orën 10 dhe 13:30 lëshimi i dytë (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.

Matilda De Angelis, rrezatuese me një fustan të zi me një dekolte të artë të thellë, hyn me një shkop dirigjenti në dorë; ajo do të "udhëheqë" ceremoninë. Përreth janë figura që mbajnë maska me fytyrat e kompozitorëve të mëdhenj italianë.
Tuba të mëdhenj me bojë derdhen mbi skenën në fushën e ‘San Siros’ dhe skena mbushet me figura të veshura me shumë ngjyra, ato janë simboli i kreativitetit italian. Një shembull i shkëlqyer është Raffaella Carrà, së cilës i bëjnë homazh me një balerinë me kostum të artë dhe flokë të shkurtër bionde. Mariah Carey ndez skenën me ‘Volare’.

Presidenti i IOC-së, Thomas Bach (pamje nga mbrapa) me zëvendëspresidentin e SHBA-së, J.D. Vance, në ‘San Siro’.

Dy ekipet Olimpike të Shqipërisë dhe Kosovës së bashku para ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore në Cortina D'Ampezzo. Ceremonia kryesore e ‘Milano Cortina 2026’ do të mbahet në stadiumin “San Siro” të Milanos, kurse dy ceremoni të tjera zhvillohen në Livigno dhe Predazzo.

Sot në orën 20:00 në stadiumin 'San Siro' të Milanos do të mbahet ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore 'Milano Cortina 2026', por Shqipëria nuk do të parakalojë aty.
Arsyeja kryesore është sepse do të ketë parakalime në katër pika të ndryshme dhe duke qenë se Shqipëria nuk ka një traditë të suksesshme në Lojërat Olimpike, ashtu si edhe disa shtete të tjera, nuk do të jenë në 'San Siro' sonte.
Thelbësore për këtë vendim është edhe fakti që Shqipëria do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike vetëm me skiatorë, që do të thotë se parakalimet do të kryhen në Cortina d'Ampezzo dhe Livigno. Dy pika ku janë të përqëndruara sportet që zhvillohen përmes skive. Pika tjetër e parakalimeve do të jetë në Predazzo.
Në Cortina d'Ampezzo flamurmbajtësja e Shqipërisë do të jetë Lara Colturi, ndërsa në Livigno, Denni Xhepa. Dy skiatorët e tjerë më të cilët përfaqësohet Shqipëria janë Lisa Brunga dhe Semire Dauti.
Datat e garimit:
Më 11 shkurt: Denni Xhepa do të jetë në garën e Slalomit Gjigand që starton nga ora 11:30 në Bormio.
Më 14 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalom që starton në orën 11:30 në Bormio.
Më 15 shkurt: Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigand në orën 10:00 dhe lëshimi i dytë në 13:30 (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.
Më 16 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalomit në orën 10:00 në Bormio.
Më 18 shkurt: Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën Slalomit në orën 10 dhe 13:30 lëshimi i dytë (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.
Qindra protestues u mblodhën në Milano më 6 shkurt për të kundërshtuar praninë e agjentëve të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) dhe mbylljen e shkollave dhe rrugëve në qytet përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Milanos-Cortinës. Departamenti Amerikan i Shtetit tha javën e kaluar se disa agjenci federale, përfshirë ICE, do të ndihmonin në mbrojtjen e amerikanëve që vizitonin vendin, një vendim që shkaktoi menjëherë protesta në Milano.
Më 6 shkurt , autoritetet italiane urdhëruan që shkollat në qendër të Milanos të mbeteshin të mbyllura dhe bllokuan hyrjen në disa zona të qytetit për të forcuar sigurinë rreth ceremonisë dhe për të lehtësuar trafikun.
Protestuesit, kryesisht studentë me pankarta ku shkruhej “ICE jashtë”, u mblodhën në sheshin 'Leonardo da Vinci', përpara një ndërtese të Universitetit Politeknik në pjesën lindore të qytetit. Një banderolë që kritikonte praninë e ICE-së, zv.presidentit të SHBA-së JD Vance dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio u mbajt në ballë të marshimit. Ata gjithashtu kundërshtojnë mbylljen e disa pjesëve të qytetit për atë që e shohin si Lojëra Olimpike të paqëndrueshme, ndërsa çmimet e banesave mbeten të papërballueshme dhe hapësirat sociale janë të pakta.
Mëngjesin e 5 shkurtit, grupi mjedisor 'Greenpeace' organizoi një protestë përpara Katedrales, duke protestuar kundër rolit të gjigantit italian të naftës 'Eni' si sponsor i Lojërave.
Shqipëria do kërkojë të sigurojë medaljen e parë në një Olimpiadë Dimërore, teksa në Milano-Cortina 2026 do përfaqësohet nga katër skiatorë. Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do kërkojnë të bëjnë më të mirën, teksa gjithçka duket gati.
Në një video të siguruar nga Report TV, shihet se Fshati Olimpik në Cortina duket gati dhe kabinat ku do jenë sportistët shqiptarë janë veshur me flamurin kuqezi. Sigurisht që bora nuk mungon.
Medaljet për Lojërat Olimpike Dimërore 2026 gjatë ceremonisë së zbulimit në Venezia
Atletët në podium në Lojërat Olimpike Dimërore në Itali këtë muaj do të marrin medaljet më të shtrenjta në historinë e Lojërave, falë rritjes së çmimeve të metaleve të çmuara. Më shumë se 700 medalje ari, argjendi dhe bronzi do t'u jepen atletëve më të mirë në botë të sporteve dimërore që marrin pjesë në këtë ngjarje.
Që nga Lojërat Olimpike në Paris në korrik 2024, çmimet spot të arit dhe argjendit janë rritur ndjeshëm me rreth 107% dhe 200%, sipas të dhënave të FactSet.
Këto rritje marramendëse nënkuptojnë se, bazuar vetëm në çmimet e metaleve, medaljet e arta tani vlejnë rreth 2,300 dollarë, më shumë se dyfishi i vlerës së tyre në Lojërat Olimpike të Parisit. Medaljet e argjendta të vendit të dytë vlejnë pothuajse 1,400 dollarë, ose trefishi i vlerës së tyre dy vjet më parë.
Fituesit do të marrin medalje të punuara nga metali i ricikluar nga Instituti Shtetëror i Monedhës dhe Poligrafik i Italisë. Por jo gjithçka që shkëlqen është në fakt, ar. Në një medalje ari, vetëm gjashtë gramë nga një total prej 506 gramësh (16 ons troy) janë ar i pastër. Pjesa tjetër është bërë nga argjendi.
Medaljet e bronzit janë bërë nga bakri dhe me një peshë prej 420 gramësh (15 ons), vlejnë vetëm rreth 5.60 dollarë secila, sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët e eventit. (Një ons troy është rreth 10% më e rëndë se një ons i rregullt.)
Medaljet olimpike të arta nuk janë bërë nga ari i pastër që nga Lojërat Olimpike të vitit 1912 në Stokholm të Suedisë, sipas shtëpisë së ankandeve Baldwin's me seli në Londër. Vlera e këtyre medaljeve, të cilat peshonin vetëm 26 gramë (0.8 ons troy), do të kishte qenë më pak se 20 dollarë bazuar në çmimin e arit në atë kohë. E rregulluar për Inflacionin e Çmimeve të Konsumit në SHBA, shifra është më afër 530 dollarëve në terma të sotëm.
Megjithatë, si sende koleksionistësh, medaljet olimpike mund të shiten për shumë më tepër sesa vlera e tyre monetare, tha Dominic Chorney, kreu i monedhave të lashta në Baldwin's. Në vitin 2015, Baldwin shiti një medalje ari nga Lojërat Olimpike të Stokholmit të vitit 1912 për 19,000 £ (26,000 dollarë), i tha ai CNN.
Vitin pasardhës, organizatorët e ankandit shitën një medalje bronzi pjesëmarrësish nga Lojërat Olimpike të Antwerpit të vitit 1920 për 640 paund (875 dollarë). Ajo medalje nuk kishte “asnjë vlerë të brendshme”, por lakmohej thjesht sepse lidhej me ngjarjen sportive më të famshme në botë, shtoi Chorney.
Megjithatë, shumica e medaljeve olimpike nuk do të dalin kurrë në shitje. “Relativisht pak olimpistë i shesin medaljet e tyre, sepse i vlerësojnë ato”, tha ai.
Aventura e Italisë në turneun e hokejit për femra në Lojërat Olimpike Milano-Cortina 2026 ka nisur në mënyrën më të mirë. Në ndeshjen hapëse në Arenën e Hokejit në Akull në 'Milano Santagiulia', vajzat 'e kaltra' mposhtën Francën me rezultatin e thellë 4-1.
Është fitorja e parë historike për ekipin italian të hokejit të femrave në Lojërat Olimpike. Paraqitja e tyre e vetme e mëparshme, në Torino 2006, ishte e pasuksesshme.
Golat e Italisë erdhën nga Tutino në minutën e 10-të, Roccella në minutën e 35-të, Fantin në minutën e 40-të dhe Della Rovere në minutën e 44-të. Franca kaloi e para në avantazh, por goli i De Serres nuk mjaftoi për të evituar humbjen.
Sot në orën 20:00 zhvillohet ceremonia e hapjes së Olimpiadës në 'San Siro', ndërsa sportet ekipore e kanë nisur garimin më herët. Nesër pritet medalja e parë në garat individuale.

Sot në orën 20:00 në stadiumin 'San Siro' të Milanos do hapen zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano-Cortina 2026'.
Shqipëria përfaqësohet në këto Lojëra Olimpike me 4 skiatorët; Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.
Lara Colturi, e cila renditet e gjashta në Kupën e Botës është pretendente për të fituar medalje olimpike. Gara kryesore e saj do të zhvillohet më 15 dhe 18 shkurt, ku ajo do të garojë për të siguruar një medalje për Shqipërinë.
Për çeljen e eventit do të organizohen tre ceremoni, një në 'San Siro' të Milanos, një tjetër në Cortina, ku Lara Colturi do të mbajë flamurin shqiptar dhe një e tretë në Borno.
Denni Xhepa do të jetë sportisti më i angazhuar, duke garuar në të katër disiplinat për meshkuj: Downhill, Super Gjigant, Slalom gjigant dhe Slalom. Ndërkohë, Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në dy disiplina, Slalom Gjigant dhe Slalom, ndërsa Lisa Brunga do të garojë vetëm në disiplinën e Slalomit.
Në Cortina d'Ampezzo flamurmbajtësja e Shqipërisë do të jetë Lara Colturi, ndërsa në Livigno Denni Xhepa.
Datat e garimit:
Më 11 shkurt: Denni Xhepa do të jetë në garën e Slalomit Gjigand që starton nga ora 11:30 në Bormio.
Më 14 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalom që starton në orën 11:30 në Bormio.
Më 15 shkurt: Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën e Slalomit Gjigand në orën 10:00 dhe lëshimi i dytë në 13:30 (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.
Më 16 shkurt: Denni Xhepa merr pjesë në disiplinën e Slalomit në orën 10:00 në Bormio.
Më 18 shkurt: Lara Colturi, Lisa Brunga dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në disiplinën Slalomit në orën 10 dhe 13:30 lëshimi i dytë (nëse kualifikohen) në Cortina D’Ampezzo.
Komente










