MILANO, Itali - Pishtari Olimpik ka përfunduar rrugëtimin në kryeqendrën lombarde dhe sot do të shkojë në “San Siro” për ceremoninë e hapjes (20:00). Mbrëmjen e të enjtes Flaka Olimpike mbërriti në sheshin 'Duomo' në Milano, etapa e parafundit e një rrugëtimi të gjatë prej më shumë se 12.000 kilometrash. Rrugëtimi kishte nisur në Greqi, në nëntor 2025, më pas kaloi në 60 qytete italiane.
Gjatë pasdites së djeshme, karvani i atyre që mbanin Pishtarin, përshkoi kryeqendrën e Lombardisë mes mijëra njerëzve në rrugë, mes duartrokitjeve. Për të mbërritur në zemrën simbolike të Milanos, ku flaka u prit në prag të ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, që do të zhvillohet sot, në orën 20:00, në stadiumin “San Siro”.
Përreth Katedrales, të pasionuarit dhe turistët sfiduan shiun për të parë nga afër ndezjen e Pishtarit të madh. Aktivistë dhe studentë ndërkohë shfrytëzuan mbërritjen e flakës për të protestuar kundër sponsorëve të Lojërave, duke denoncuar impaktin ambiental të këtij eventi sportiv.
Në sheshin 'Duomo', të blinduar nga forcat e rendit, mes fansave u shfaqën edhe disa flamuj palestinezë.
Flakën olimpike e shoqëruan në këtë etapë të parafundit ish-tenistet Flavia Pennetta dhe Francesca Schiavone. Metrat e fundit dhe ndezja e flakës së madhe iu besuan Nicoletta Mannit.
Shqipëria përfaqësohet në Olimpiadën Dimërore me 4 sportistë, 4 skiatorë, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti.

Flaka Olimpike në Milano

Sot në orën 20:00 në stadiumin 'San Siro' të Milanos do hapen zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore 'Milano-Cortina 2026'.
Shqipëria përfaqësohet në këto Lojëra Olimpike me 4 skiatorët; Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti.
Lara Colturi, e cila renditet e gjashta në Kupën e Botës është pretendente për të fituar medalje olimpike. Gara kryesore e saj do të zhvillohet më 15 dhe 18 shkurt, ku ajo do të garojë për të siguruar një medalje për Shqipërinë.
Për çeljen e eventit do të organizohen tre ceremoni, një në 'San Siro' të Milanos, një tjetër në Cortina, ku Lara Colturi do të mbajë flamurin shqiptar dhe një e tretë në Borno.
Denni Xhepa do të jetë sportisti më i angazhuar, duke garuar në të katër disiplinat për meshkuj: Downhill, Super Gjigant, Slalom gjigant dhe Slalom. Ndërkohë, Lara Colturi dhe Semire Dauti do të marrin pjesë në dy disiplina, Slalom Gjigant dhe Slalom, ndërsa Lisa Brunga do të garojë vetëm në disiplinën e Slalomit.
Datat e garimit:
Denni Xhepa do të zbresë në pistë më 7, 11, 14 dhe 16 shkurt
Lara Colturi dhe Semire Dauti do të garojnë më 15 shkurt në Slalom Gjigant dhe më 18 shkurt në Slalom
Lisa Brunga do të garojë më 18 shkurt, në Slalom.
Komente









