Milan po kalon një periudhë plot dritë-hije sa u takon drejtuesve, më saktë, pronarëve kinezë. Të martën ka ardhur lajmi për falimentimin e “Jie Ande”, “kompania kasafortë” e Yonghong Li. Ndërkohë, ka ardhur edhe konfirmimi, nga ana e Prokuorisë së Milanos, për hapjen e një dosje mbi shitjen e klubit nga “Fininvest” te “Rossoneri Sport”.
Sot ka ardhur letra që klubi milanez i ka dërguar presidentit, në të cilën i ka kërkuar atij që të derdhë 10 milionë eurot e parashikuara për rritjen e kapitalit. Lajme këto që hedhin të tjera hije mbi klubin kuqezi, për të cilin interesohet një biznesmen rus.
Alisher Usmanov, 64 vjeç, me interesa të ndryshme dhe drejtori i përgjithshëm i “Gazprom”, kolosi i gazit, duket se ka shprehur dëshirën për të blerë Milan-in, siç ka bërë të ditur e përditshmja “Libero”. Usmanov zotëron disa aksione të Arsenal, por shumë shpejt mund të largohet nga londinezët dhe po mendon për të bërë një investim të ri në botën e futbollit.
Mik i madh i Vladimi Putin, zotëria i gazit rus njeh edhe Silvio Berlusconi-n, me të cilin është takuar shpeshherë në Sardegna. Falë investimit të bërë për “Topçinjtë”, Usmanov është njohur me Paul Singer, tifoz i madh i klubit londinez dhe drejtuesi i fondit Elliot, kompania që i ka huazuar Li-së paratë për të blerë Milan.
Biznesmeni rus, i cili ka një pasuri prej 15 miliardë dollarësh, i ka shprehur atij prej kohësh dëshirën për të blerë kuqezinjtë. Në orët e fundit, fondi amerikan i ka huazuar edhe 35-40 milionë euro të tjera klubit italian për të mbyllur sezonin dhe për të pasur burimet e nevojshme për të shmangur përjashtimin nga kupat e Europës në sezonet e ardhshme. Sipas “Calciomercato.com”, Usmanov synon zgjerojë investimet në botën e futbollit dhe po mendon edhe për Sevilla-n.