Sulmi me molotovë i militantëve të armatosur të Sali Berishës ndaj rezidencës “Vila 31 x Art Explora” mund të kishte përfunduar në tragjedi. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, i cili shkoi në ambientet e qendrës së artit në Tiranë për të takuar artistët ndërkombëtarë që ndodheshin brenda në momentin e shpërthimeve dhe për t’u kërkuar atyre ndjesë.
Rama tha se i gjeti artistët të traumatizuar dhe e cilësoi atë që ndodhi si “turp shumë i madh” dhe “plagë e hapur” për imazhin e Shqipërisë. Sipas tij, godina që dikur ishte rezidenca e diktatorit sot është kthyer në një hapësirë që i jep vlerë Tiranës dhe vendit, duke mikpritur artistë nga e gjithë bota.
“Prej disa kohësh kjo rezidencë e diktatorit dikur, është kthyer në një rezidencë artistësh që vijnë nga gjithë bota këtu në Tiranë, në një destinacion që jep vlerë dhe e bën të çmuar Tiranën dhe Shqipërinë edhe në këtë drejtim dhe erdha për t’u takuar me artistët dhe për t’ju shprehur atyre të gjithë ndjenjën time të keqardhjes, për t’ju kërkuar falje për atë çka ndodhi mbrëmë kur u gjendën nën një sulm bombash artizanale, që largqoftë, mund të kishin sjellë edhe tragjedi këtu dhe ata janë të traumatizuar, nuk janë në gjendje të flasin për publikun. I mirëkuptoj krejtësisht dhe kjo që ka ndodhur është një turp shumë i madh, është një dëm shumë i madh, është një plagë e hapur në atë që është fytyra e Shqipërisë së re dhe të cilën e përfaqëson dhe kjo rezidencë, të cilën e mishërojnë dhe këta djem dhe këto vajza të talentuara që vijnë nga të katër anët e botës, këtu" tha Rama.
Kryeministri pati një mesazh edhe për simpatizantët e akteve të dhunshme të Berishës.
"Nuk kam fjalë për të thënë për çfarë turpi është ky, por dua t’ju them të gjithë atyre që ende simpatizojnë dhe ende mbështesin barbarët e mbrëmshëm, frymëzuesit e tyre më saktë, se edhe ata që hedhin ato bombat artizanale janë ca totalisht të manipuluar. Pra, atyre që i simpatizojnë, dua t’i them që nga kjo, nga këto humbasin të tërë ata që duan të bëjnë punë, që duan të kenë turistë, që duan të zhvillojnë ekonominë e tyre të vogël, me biznesin e tyre të vogël apo që duan të rrisin qetësisht fëmijët këtu sepse Shqipëria e hapur nuk mund të mbyllet dhe këto kërcitje thjesht dhe vetëm e çojnë ujin totalisht në mullirin e së shkuarës dhe nuk kanë të bëjnë fare me të ardhmen”, tha Rama.
Drejtoresha ekzekutive e programit, Bisej Kapo, tregoi se shpërthimet u dëgjuan papritur, ndërsa artistët u futën në korridorin më të mbrojtur dhe morën fikëset e zjarrit për të shmangur përhapjen e flakëve. Sipas saj, situata mund të kishte dalë jashtë kontrollit brenda pak sekondash, pasi godina është kryesisht prej druri.
“Praktikisht dje ishim qetë në rezidencë me program publik ku kemi pasur 100 veta që kanë hyrë në vilë gjatë paradites dhe në darkë vetëm kur dëgjojmë shpërthimet. Ne ishim vetëm sipër, pikërisht tek ai ballkon që e pa gjithë Shqipëria që u duk sikur morëm flakë faktikisht. Dhe në moment artistët u futën në korridorin që është më i mbrojturi, morën fikëset e zjarrit dhe u munduan që të mos na ndodhte ndonjë gjë sepse vila në vetvete është e gjitha prej druri. Zyra është e gjitha dru dhe mund të kishte eskaluar e gjithë situata në një fraksion sekondi”, tha ajo.
Sa i përket pretendimeve të demokratëve dhe Sali Berishës se nuk e dinin që Vila 31 është rezidencë arti, Rama i cilësoi ato të turpshme dhe të nxitura nga ligësia.
“Nuk është padija, është marrëzia, është ligësia, është verbëria, është një kompleks gjërash dhe mbi të gjitha është urrejtja, një turp i pashoq që nxin Shqipërinë, që na nxin të gjithëve pavarësisht se ata që e bënë janë katran i Shqipërisë dhe janë fatmirsisht një grusht njerëzish”, tha Rama.
E ndërsa ndau pamje nga vizita në qendrën e Artit, Rama kritikoi edhe gjykatësit që sipas tij lirojnë nga burgu zjarrvënësit që janë përgjegjës për aktet e dhunës.
"Vila 31 x Art Explora”, ish-shtëpia e diktatorit, selia e fondacionit prestigjioz Art Explora, që u godit mbrëmë nga flakët e plehrave të kazanit të ligësisë tetëdhjetë e kusur vjeçare, për turpin e madh jo të kriminelëve të paguar për të hedhur bombat artizanale që prodhohen në selinë e PD-së, as për turpin e PD-së, se PD-ja është një coftinë që s’ka më as fuqi të ketë turp, po për turpin e atyre gjykatësve që paguhen si frëngu pulën nga taksat e shqiptarëve dhe i nxjerrin prapë në rrugë zjarrvënësit sapo i arreston policia" shkroi ai në Facebook.
Lajmi kryesor:
Pamjet ekskluzive/ U bombardua nga molotovët e militantëve të PD, Rama te 'Vila 31': I gjeta artistët të traumatizuar, turp për gjykatësit që lirojnë zjarrvënësit










