Xhelozia dhe debatet për shkak të bixhozit kanë shkaktuar viktimën e radhës brenda familjes në Milot. Viloleta Donaj, nënë e dy fëmijë ka qëlluar katër herë me pistoletë ndaj bashkëshortin të saj, Kujtim Donaj në mes të tregut të Milotit. Sipas dëshmitarëve, Kujtim Donaj ka qenë duke hapur mallin në tezgën që kishte në treg, kur ka ardhur gruaja e tij duke qëlluar 4 herë ndaj tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Po sipas të njëjtëve dëshmitarë, Violeta Donaj, sëbashku me kunatën kanë shkuar pas burrit me një makinë private, ndërsa viktima kishte mbërritur pak minuta më herët me një fugon mallrash. Sapo ka zbritur nga makina, 35 vjeçarja ka qëlluar ndaj bashkëshortit duke e lënë në vend të vdekur.


Viktima Kujtim Donaj

Në momentin e vrasjes sapo kishin filluar lëvizjet në tregun e Milotit, duke shkaktuar panik tek ta. 35 vjecarja ka qëlluar ndaj bashkëshortit nga një distancë e afërt duke i shkaktuar tre plagë në trup, ndërsa një prej plumbave ka bërë rikoshet duke shkaktuar panik edhe tek qytetarët që ndodheshin aty pranë.  Një tjetër dëshmitare, i tregon viktimën dhe autorin si persona të qetë. Ata i njihte prej kohësh si shitës së rrobave të fëmijëve në treg.  Pas krimit, Violeta Donaj ka tentuar të largohet. Pasi ka hedhur armën e krimit, ajo është larguar po me të njëjtën makinë por është ndjekur nga policia. Pak metra kilometra larg vendit të krimit ajo është ndaluar nga një patrullë policie dhe nuk ka bërë rezistencë.


Momenti kur Violeta Donaj shoqërohet nga policia

Pas ndalimit, policia ka marrë në pyetje 35 vjeçaren, e cila ka rrëfyer se kohët e fundit kishte pasur debate të vazhdueshme me bashkëshortin. Ajo është shprehur se bashkëshorti e tradhtonte dhe kohët e fundit kishte nisur dhe të shpenzonte para. Para hetuesve, 35 vjecarja ka shtuar gjithashtu se keqtrajtohej nga bashkëshorti, sepse i kërkonte llogari për paratë, pasi sipas saj, viktima luante rregullisht edhe bixhoz.

Krimin e kam kryer pasi kishim debate në familje. Burri luante bixhoz dhe ishte xheloz.

Dëshmia e Violeta Donajt

 


Njoftimi i Policisë:
Me datë 17.06.2018, rreth orës 07:10, në tregun e Milotit në Kurbin, shtetasja V.D. 35 vjeçe, banuese në Rrëshen, për motive ende të paqarta, ka vrarë me armë zjarri tip pistoletë, bashkëshortin e saj, shtetasin K.D. 42 vjeç, banues në Rrëshen. 

Menjëherë pas ngjarjes, shtetasja V.D. ka tentuar të largohet por ndërhyrja në kohë e forcave policore, ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e saj në flagrancë si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit tip pistoletë me të cilën është kryer krimi. 

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, po vazhdojnë hetimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:19
Zbulohet shkaku i vrasjes në Milot, del dëshmia e gruas në Polici: I linte lekët në bixhoz

Detaje të reja kanë dalë nga deshmia e gruas në Polici. Mësohet se 35-vjeçarja Violeta Donaj është shprehur në Polici se kishin debate ne familje, pasi burri luante bixhoz. Gjithashtu sipas burimeve të Report Tv një tjetër problem në çift ishte edhe xhelozia. 

Krimin e kam kryer pasi kishim debate në familje. Burri luante bixhoz dhe ishte xheloz.

Dëshmia e Violeta Donajt

Ora 11:40
FOTO/ Kush është 35-vjeçarja që vrau burrin me pistoletë në mes të tregut të Milotit

Kjo është fotografia ku duket 35-vjeçarja Violeta Donaj pak pasi vrau bashkëshortin e saj, Kujtim Donaj.

Violeta Donaj nëna e dy fëmijëve të mitur i mori jetën burrit të saj, duke e qëlluar me katër plumba pistolete në mes të tregut të Milotit, aty ku çifti kishte një dyqan me rroba të vjetra. 

 

Ora 09:46
‘E qëlloi 4 herë’, flasin dëshmitarët në tregun e Milotit: Ja si ndodhi ngjarja

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë thënë për Report Tv se si ka ndodhur ngjarja në tregun e Milotit.

“Nuk ka patur debat, vetëm kemi dëgjuar të shtëna 4 herë dhe burri humbi jetën menjëherë. S’kemi vënë re ndonjë konflikt mes tyre nuk e di pse mund të ketë ndodhur. Burri erdhi me fugon dhe po hapte mallin. Gruaja kishte ardhur me makinë. Pak lëvizje ka patur, ka qenë ora nja 7 e ca. Si njoh mirë, atë gruan e njoh disi më mirë se e kisha blerë disa herë rrobat e fëmijëve. Ata kishin një dyqan rrobash të përdorura në tregun e Milotit.”-është shprehur njëri prej tyre.