Firma që ka fituar tenderin dhe po punon për rikonstruksionin e rrugës nacionale, Milot-Rreshen gërryen gjatë gjithë ditës inertet që janë hedhur mbi shtratin e hekurudhës, duke e shkatërruar plotësisht atë. Ndërsa pas po lë vetëm veprat e artit, të cilat duket se do jenë edhe një pjesë e relikes së historisë së ndërtimit të hekurudhave në vendin tonë. Zhvatja e hekurudhës ka nisur prej kohësh.

Banorët tregojnë për gazetarët investigativë të emisionit "Fiks Fare" se hekurudha ka qenë e ndërtuar plotësisht deri tek tuneli i Prosekut. Ndërsa treni i pasagjerëve vinte deri në Rrëshen. Një nga punonjësit e hekurudhës thotë se fillimisht u vodhën vagonat e trenave për skrap më pas shinat e nuk i lanë pa vjedhur edhe binarët që edhe pse ishin prej betoni, janë marrë për t'i hequr 1.5 metër ele e për ta dërguar për skrap.
Kamera e "Fiks Fare" ka fiksuar edhe momentet e marrjes nga shtrati i hekurudhës të inerteve, duke e zhveshur plotësisht. Firma vazhdon gjatë gjithë ditës punën, duke transportuar inertet nga fshati Tarazh për në fshatin Prosek të Mirditës, ku po kryente edhe mbushjen e rrugës nacionale Rrëshen-Urakë. Kështu duket se pas marrjes së hekurit për skrap, nuk i ka shpëtuar edhe materiali i shtratit të hekurudhës, i cili edhe pse është pjesë e pasurisë kombëtare, nuk po i reziston dot vjedhjes.

Linja hekurudhore Milot-Rrëshen-Klos nisi investimet e saj para viteve '80 dhe inagugurimi saj, është kryer nga Ramiz Alia. Në fund të vitit 1980 mbaroi me sukses një pjesë e kësaj linje hekurudhore e gjatë 26 km dhe që kryente lidhjen e Milotit me Rrëshenin. Kjo linjë hekurudhore ka funksionuar deri në vitin 1993. Ndërsa në fillimet e tij, treni që shkonte dhe vinte dy herë nga Miloti në Rrëshen dhe anasjelltas, filloi të shkonte vetëm një herë në ditë. Në vitin 1993, kjo linjë hekurudhore u mbyll. Ndërsa goditjen e parë ajo e mori me ndërtimin e një pjese të rrugës së Kombit që lidh Milotin deri në afërsi të Rrëshenit. Në shtratin e kësaj linje hekurudhore nga Miloti në Rrëshen, është vendosur edhe rruga e Kombit. Ndërsa pjesa tjetër, e cila ishte pothuajse në përfundim, nga Rrësheni në Klos, ka nisur të shkatërrohet dhe jo të ndërtohet.

Biseda e gazetarit te emisionit 'Fiks Fare'me një banor
Fiksi - Po këto makina që kalojnë, çfarë janë këto?
Banori - Kanë bazën e tyre këtu.
Fiksi - Po çfarë po ndërtojnë?
Banori - Rruga Burrel - Rrëshen.
Fiksi - Ky zhavorr shkon për rrugën ëëëëë?
Banori - Po, ja marrin ish-hekurudhës.
Fiksi - Ka qenë hekurudhë këtu lart?
Banori - Ka qenë bërë traseja deri këtu lart.
Fiksi - Po treni erdhi ndonjëherë?
Banori - Deri në Rrëshen ka qenë treni i pasagjerit. Unë kam punuar në hekurudhë.
Fiksi - Po shinat kur i vodhën, shpejt?
Banori - I kanë shit, i kanë bërë skrap. Shinat 1 dhe traversat e drunit.
Fiksi - I morën, ata i morën?
Banori - Atë të betonit.
Fiksi - Janë traversa betoni ato?
Banori - Rrësheni ka pasur traversa betoni. Ka pasur shumë pak druri vetëm stacioni. Unë kam punuar në hekurudhë gjashtë vite.
Fiksi - Çfarë ke punuar në hekurudhë?
Banori - Kam qenë shef kuadri.
Fiksi - Me një fjalë paske punuar në hekurudhë ti?
Banori - Po kam punuar.
Fiksi - Me një fjalë këta që bëkan rrugën merrkan zhavorr këtu i bikan qylit, paska zhavorr plot aty?
Banori - Kanë qenë gjithë ato mbushje këtu. Është ura gjatë këtu, prej këtu e kushedi sa metra është.
Fiksi - Po ura do të prishet?
Banori - Nuk e di.
Fiksi - Nuk e kanë prishur, hequr?
Banori - Jo, është shumë e lartë shikoje ç'farë gjatësie ka, shihet prej këtu.
Fiksi - Duket që këtu?
Banori - Po nuk shikohet që këtu, një pjesë.
Fiksi - Po Rrësheni ka qenë goxha?
Banori - Iku ajo punë, atëherë të merrnin me zor në punë, sot janë njerzit komplet pa punë. Unë kam punuar shef kuadri, edhe në kooperativë bujqësore edhe në ndërmarrje. Kooperativa nuk kishte plan punëtorësh.
Fiksi - Tani si është Rrësheni me punë?
Banori - Punë zero, puna zero. D.m.th është ato që kanë qenë me biznese kanë dorëzuar liçensën.
Fiksi - Ashtu ëëë?
Banori - S'e përballojnë dot.
Fiksi - Është bërë keq fare?
Banori - Problem çështja e punësimit.