Mimoza Hafizi kërkesë KGS
për vlefshmërinë e referendumit

Mimoza Hafizi kërkesë KGS<br />për vlefshmërinë e referendumit
Mimoza Hafizi ka shprehur një tjetër rezervë lidhur me vendimmarrjen brenda Partisë Socialiste. Për të, pyetja e formuluar për tu drejtuar socialistëve në referendumin e 9 prillit, nuk është e vlefshme, pasi ajo nuk është miratuar nga Kongresi, i cili ka autoritetin për ta bërë këtë. Në këto kushte, Hafizi i ka dërguar një kërkesë Komisionit të Garancive Statutore në PS, për interpretim të neneve 45 dhe 72 të projekt statutit të miratuar në Kongresin e PS ku kërkon shpalljen si të pavlefshëm vendimin e Ruçit.

Ajo ka disa vërejtje për procesin e thirrjes së referendumit. 

“Në rastin e vendimmarrjes së Kongresit për zhvillimin e referendumit në PS më datë 09.04.2016, jo vetëm nuk pati ndonjë iniciues nga ata që parashikon Statuti i PS, por edhe nuk pati asnjë akt, projektvendim konkret, mbi të cilën Kongresi, delegatët e tij, të mund të diskutonin dhe të vendosin për miratimin ose jo të përmbajtjes së tij”-shprehet Hafizi. 

Ajo po ashtu kundërshton pyetjen me të cilën socialistët do të duhet të vendosin në referendum.

“Kërkoj deklarimin si absolutisht të pavlefshëm të çdo vendimi që në formë dhe në përmbajtje nuk përputhet me vendimin që miratoi Kongresit i PS, për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016.

Nëpërmjet mediave online jemi vënë në dijeni se është zbardhur një vendim Nr..., datë 19.03.016, i Kongresit të PS mbajtur më datë 19.03.2016, nënshkruar nga Z. Gramoz Ruçi, për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016, me anëtarësinë e partisë, -me çështje që ushtrohet në Referendum “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe Kryetari i saj është i zgjedhur Kryeministër: A konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i Kryetarit?” -me formë të referendumit “vendimmarrës”, -me pjesëmarrje në referendum “anëtarët e Partisë Socialiste”-shprehet Hafizi, e cila argumenton se Kongresi i PS, edhe pse vendosi se do të mbahet një referendum, nuk miratoi: - formulimin e pyetjes specifike të shtruar për referendum, si në variantin e vendimit të nënshkruar nga z. Gramoz Ruçi -formën e referendumit; -rregullin e pjesëmarrjes.

Për këtë arsye ajo kërkon: “Konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit të zbardhur Nr..., datë 19.03.016, të Kongresit të PS datë 19.03.2016 nënshkruar nga Z. Gramoz Ruçi për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016, si një vendim që në formë dhe në përmbajtje nuk përputhet me vendimin që miratoi Kongresi në këtë datë, për zhvillimin e këtij referendumi”-thekson Hafizi. Në mbyllje të kërkesës së saj, deputetja e Shkodrës kërkon që kërkesa e saj të shqyrtohet përpara mbajtjes së referendumit në 9 prill.
 
 

PS nis fushatën në terren për pjesëmarrjen në referendum
Partia Socialiste ka nisur punën me strukturat e saj për të siguruar pjesëmarrjen e anëtarëve të partisë në referendumin e 9 prillit. Deputetët e kësaj partie, kanë nisur takimet me drejtuesit lokalë, duke synuar që në referendum të marrin pjesë jo më pak anëtarë se sa morën në zgjedhjen e delegatëve për në Kongres. Synimi i PS është që të mos ulen nën këtë përqindje pjesëmarrjeje, për të mos dhënë një argument shtesë për rivalin e Ramës, Ben Blushi. “Sot në takim me shtabin drejtues të PS Peqin, për fillimin e përgatitjeve për Referendumin e datës 9 Prill”-shkruan Anastas Angjeli.

"Kur partia Socialiste është në qeveri dhe kryetari i saj është kryeministër a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i kryetarit"?  Kjo është pyetja të cilës do të duhet t'i përgjigjen me "Po" ose "Jo" anëtarët e PS.  Kongresi i PS vendosi tre ditë më parë që interpretimin e mandatit të Edi Ramës t’ia jepte vetë anëtarësia e PS, përmes një referendumi. Partia Socialiste do të thërrasë 94 mijë anëtarët e saj në një referendum në datën 9 prill. Kongresi i Partisë Socialiste ka miratuar propozimin e kryetarit të PS, Edi Rama, për mbajtjen e një referendumi për çështjen e mandatit të tij në krye të PS.  Për të shuar debatin e brendshëm në PS, tha Rama, ai i drejtohet Kongresit që të miratojë propozimin e tij për referendumin.
 
Kërkesa e plotë e Mimoza Hafizit drejtuar KGS


Objekti:
1) Interpretimin si të nenit 45 të Statutit të PS miratuar me 05.11.2011, ashtu edhe të nenit 72 të Projekt Statutit të PS, miratuar në parim prej Kongresit të PS mbajtur më datë 19.03.2016, në lidhje me subjektet iniciuese dhe procedurën që duhet ndjekur për shqyrtimit e një iniciative që provokon vendimarrjen e Kongresit mbi zhvillimin e një referendumi në PS.
 
2) Shqyrtimin e inicimit, formës, rregullshmërisë e ligjshmërisë së procedurës dhe akteve që i paraprinë vendimit të Kongresit të PS për zhvillimin referendumit të datës 09.04.2016.
 
3) Deklarimin si absolutisht të pavlefshëm të çdo vendimi që në formë dhe në përmbajtje nuk përputhet me vendimin që miratoi Kongresit i PS, për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016.
 
4) Konstratimin si absolutisht të pavleshëm të Vendimit të zbardhur Nr..., datë 19.03.016, të Kongresit të PS datë 19.03.2016, nënshkruar nga Z. Gramoz Ruçi, për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016, si një vendim që në formë dhe në përmbajtje nuk përputhet me vendimin që miratoi Kongresi në këtë datë, për zhvillimin e këtij referendumi.
 
Baza Ligjore:
 
Neni 32 i Statutit të PS, miratuar më 05.11.2011, neni 48 i Projekt Statutit të PS, miratuar në parim prej Kongresit të PS mbajtur më datë 19.03.2016.
 
Drejtuar: Komisionit të Garancive Statutore në PS
 
Të nderuar, anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore .Më datë 19.03.2016 u thirr dhe u mblodh Kongresi i PS. Referuar rendit të ditës të propozuar për thirrjen e këtij Kongresi të PS, në këtë rend dite nuk ishte përfshirë zhvillimi i ndonjë referendumi në PS, për shkak se nuk kishte patur ndonjë iniciative statutore për zhvillimin e ndonjë referendumi të tillë. Edhe AK e PS e mbajtur më datë 09.03.2016 nuk vendosi mbi zhvillimin e ndonjë referendum në PS. Për shkak se Kongresi i PS, mbledhur më datë 19.03.2016, jashtë rendit të ditës së propozuar për thirrjen e tij, me iniciativën vetëm të një anëtarit të PS, delegat i Kongresit, z. Edi Rama, vendosi zhvillimin e një refendumi në PS më datë 09.04.2016, në një moment që Projekt Statuti i PS, ishte miratur vetëm në parim, dhe jo nen për nen dhe në tërësi, dhe pasqyrimi i propozimeve të ardhura nga delegatët e Kongresit, dhe formulimi përfundimtar dhe konkret i neneve të tij, iu la si detyrë grupit të punës, të caktuar për hartimin e tij,
 
2 Si anëtare e Partisë Socialiste;
Kërkoj:
1)        Interpretimin si të nenit 45 të Statutit të PS miratuar me 05.11.2011, ashtu edhe të nenit 72 të Projekt Statutit të PS, miratuar në parim prej Kongresit të PS mbajtur më datë 19.03.2016, në lidhje me subjektet iniciuese dhe procedurën që duhet ndjekur për shqyrtimit e një iniciative që provokon vendimarrjen e Kongresit mbi zhvillimin e një referendumi në PS.
 
Sjell në vemendjen tuaj se, neni 45 i Statutit të PS, miratuar me 05.11.2011, dhe neni 72 i Projekt Statutit të PS, propozuar për miratim Kongresit të PS mbajtur më datë19.03.2016, parashikojnë se:
Neni 45 Referendumet në Parti
1. Për probleme që prekin parimet themelore programore dhe statutore të PS zhvillohet referendum në parti.
2. Referendumi zhvillohet me iniciativë të Asamblesë Kombëtare, me vendim të Kongresit të PS dhe me kërkesën e 1/3 të anëtarësisë së partisë.
3. Modalitetet për zhvillimin e referendumit përcaktohen në Kodin e Zgjedhjeve në PS.
Neni 72
Referendumi dhe forma te tjera te konkurimit
1. Për probleme që prekin parimet themelore programore dhe statutore të PS dhe procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për qeverisjen vendore e qëndrore zhvillohen referendum dhe procese konkurimi politik në parti.
3. Referendumi zhvillohet me vendim të Kongresit të PS, me iniciativë të Asamblesë Kombëtare dhe me kërkesën e 20% të anëtarësisë së partisë.
4. Propozimi për thirrjen e një referendumi do të bëhet duke përcaktuar: formulimin specifik të pyetjeve, formën e referendumit, këshillues apo vendimarrës, rregullin e pjesëmarrjes së hapur për të gjithë votuesit ose vetëm për anëtarët e partisë apo edhe simpatizantët e saj.
5. Referendumi njoftohet nga Sekretari i Përgjithshëm, pas konsultimit në favor të legjitimitetit të garancisë nga KGS dhe Etikës.

Theksojmë se procedura që paraprin vendimarrjen për zhvillimin e një referendumi, si dhe aktet në të cilat konkretizohet ajo, janë të rëndësishëm pasi i mundësojnë Kongresit, delegatëve të tij, jo vetëm të njihen në kohë me një iniciativë konkrete referendare, por edhe të ushtrojnë të drejtat e tyre, për të diskutuar, ndyshuar, rregulluar, saktësuar, votuar pro, kundra, apo abstenuar, mbi një iniciativë të tillë. Në rastin e vendimmarrjes së Kongresit për zhvillimin e referendumit në PS më datë 09.04.2016, jo vetëm nuk pati ndonjë inicues nga ata që parashikon Statuti i PS, por edhe nuk pati asnjë akt, projektvendim konkret, mbi të cilën Kongresi, delegatët e tij, të mund të diskutonin dhe të vendosin për miratimin ose jo të përmbajtjes së tij.

Në vlerësimin tim forma, rregullshmëria dhe ligjshmëria e procedurës që i paraprin një vendimarrjeje të tillë dhe e akteve në të cilat formalizohet dhe konkretizohet ajo, është kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm për ushtrimin e të gjitha të drejtave të cituara më sipër të sanksionuara nga Statuti, të drejta të cilat duhet t’i garantohen anëtarit të PS, delegat i Kongresit.

Prandaj, duke qenë se procedura dhe aktet që paraprijnë një vendimarrje të tillë, të parashikuar nga Statuti i PS, janë qartësisht të veçanta nga vendimarrja e Kongresit, pa shqyrtuar dhe gjykuar vendimin e Kongresit për zhvillimin e referendumit në PS më datë 09.04.2016,
Kërkoj:
2)        Shqyrtimin e inicimit, formës, rregullshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurës dhe akteve që i paraprinë vendimit të Kongresit të PS për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016.
Referuar si nenit 45 të Statutit të PS, miratuar më 05.11.2011, ashtu edhe nenit 72 të Projekt Statutit, miratuar në parim prej Kongresit të PS mbajtur me datë 19.03.2016, rezulton se Kongresi i PS jo vetëm është organi që ka të drejtën eskluzive për të vendosur për zhvillimin e një referendumi në PS, por edhe se është ky organ që ka të drejtën eskluzive për të vendosur mbi çdo element të një vendimarrjeje të tillë që përkthehet në elementë të formës dhe të përmbajtjes së një vendimi të tillë.
Për këtë arsye;
Kërkoj:
3)        Deklarimin si absolutisht të pavlefshëm të çdo vendimi që në formë dhe në përmbajtje nuk përputhet me vendimin që miratoi Kongresit i PS, përzhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016.
4 )  Nëpërmjet mediave online jemi vënë në dijeni se është zbardhur një vendim Nr..., datë 19.03.016, i Kongresit të PS mbajtur më datë 19.03.2016, nënshkruar nga Z. Gramoz Ruçi, për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016, me anëtarësinë e partisë, -me çështje që ushtrohet në Referendum “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe Kryetari i saj është i zgjedhur Kryeministër: A konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i Kryetarit?” -me formë të referendumit “vendimmarrës”, -me pjesëmarrje në referendum “anëtarët e Partisë Socialiste”.

Theksoj se Kongresi i PS, mbajtur më datë 19.03.2016, edhe pse vendosi që më datë 09.04.2016, do të mbahet një referendum, nuk miratoi: - formulimin e pyetjes specifike të shtruar për referendum, si në variantin e vendimit të nënshkruar nga z. Gramoz Ruçi -formën e referendumit; -rregullin e pjesëmarrjes;
Për këtë arsye;
Kërkoj:
4)        Konstatimin si absolutisht të pavleshëm të Vendimit të zbardhur Nr..., datë 19.03.016, të Kongresit të PS datë 19.03.2016 nënshkruar nga Z. Gramoz Ruçi për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016, si një vendim që në formë dhe në përmbajtje nuk përputhet me vendimin që miratoi Kongresi në këtë datë, për zhvillimin e këtij referendumi.

Duke sjellë në vëmendjen Tuaj se vendimi i mësipërm cënon vendimin e Kongresit PS për referendumin e datës 09.04.2016, kërkoj që, për të evituar çdo pasojë negative që mund të shkakojë ky vendim, kërkesa ime të shqyrtohet, dhe mbi të, të ketë një vendimmarrje të KGS, përpara kësaj date. Tiranë më, 23. 03.2016

KËRKUESE
Mimoza Hafizi, delegate e Kongresit PS

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

SHBA, akuza për ryshfet ndaj ligjvënësit Henry Cuellar

SHBA, akuza për ryshfet ndaj ligjvënësit Henry Cuellar