Mimoza Hysa, Italia e nderon me 
“Çmimin kombëtar për përkthimin”

Mimoza Hysa, Italia e nderon me <br />“Çmimin kombëtar për përkthimin”
TIRANE- Përkthyesja dhe shkrimtarja shqiptare, Mimoza Hysa, është nderuar në Itali me “Çmimin kombëtar për përkthimin”. Çmimin përkthyeses së autorëve më të rëndësishëm italianë në gjuhën shqipe si Buzzatti e pretendentëve për Nobel, Magris e Tabuçhi, ia ka dhënë juria prestigjoze e Ministrisë së Kulturës me motivacionin: për kontributin në përhapjen e letërsisë italiane në botë. Mësojmë se shqiptarja Mimoza Hysa është përzgjedhur mes përkthyesve nga gjithë bota që kanë përcjellë në gjuhët e tyre kombëtare letërsinë italiane.

Dokumenti i këtij Çmimi mban datën 23 shkurt 2015. Në linkun zyrtar të "Çmimit kombëtar për përkthimin" shkruhet se ky çmim i jepet nga Ministria e Kulturës Italiane një herë në vit: një përkthyesi italian për kontributin në përkthimet nga gjuha e huaj në italisht dhe një përkthyesi të huaj për kontributet për përkthimin nga gjuha italiane në një gjuhë të huaj, si dhe për ndihmesën në përhapjen e kulturës italiane në botë. Për Mimoza Hysën lajmërimi i marrjes së çmimit ka qenë befasues.

Ajo njihet për modestinë, edhe pse është afirmuar prej vitesh si shkrimtare, përkthyese, studiuese dhe gazetare. Por, modestia e atyre që bëjnë vepra duket se nuk “preferohet” shumë nga juritë shqiptare... Ja si e ka shprehur në Facebook emocionin e parë Hysa, fituesja e çmimit më prestigjoz në Itali për përkthimin: “Është një nga ato ditë kur mbetesh gojëhapur dhe të zihet fryma, është dita e shpërblimit të madh të një mundi shumëvjecar, e gëzimin e ndjen të plotë kur Çmimin Kombëtar të Përkthimit ta jep Juria prestigjoze e Ministrisë së Kulturës Italiane me motivacionin: për kontributin në përhapjen e letërsisë italiane në botë.

E kam kuptuar: unë marr çmim vetëm kur Juria nuk më njeh: më ndodhi kështu kur mora çmimin e tregimit më të mirë në 50 konkurrentë tek “Fjala”, kur ende nuk njihja e nuk më njihte askush prej jurisë, e po kështu edhe për këtë çmim prestigjoz për përkthimin. EVVIVA!”

Lista e përkthimeve nga shqipja në italisht e Mimoza Hysës është shumë e gjatë, por ne mund të rendisim pak prej tyre: Shpirt pezull; M. Mazzantini; SHB Ombra GVG; Net të vështira; D. Buzzati; SHB Ombra GVG; Mistere të padukshme; D. Buzzati; SHB Ombra GVG; Dëshmon Pereira; A. Tabuçhi; SHB Ombra GVG; Tristani vdes;  A. Tabuçhi; SHB Ombra GVG; etj, etj.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf