Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, teksa ka komentuar ndryshimet e sotme në Qeveri, ka thënë se Belinda Balluku pavarësisht shkarkimit, vijon të qëndrojë në pushtet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shehaj është shprehur se dy ministrat e rinj të emëruar ditën e sotme, Enea Karakçi dhe Ermal Nufi, janë të vendosur në ato pozicione nga vetë Balluku.
“Rama heq Ballukun sa për sy e faqe. Në fakt ajo vazhdon të qëndrojë në pushtet me drejtorët e saj në hetim nga SPAK-u!”, ka shkruar Shehaj krahas videos së postuar në faqen e tij në Facebook.
Po ashtu Shehaj ka thënë se Karakçi, i cili ka qenë më herët drejtor i OSHEE-së, është nën hetim nga SPAK, por kjo sipas tij nuk e pengoi Ramën që ta bënte ministër.
Kujtojmë se Karakçi sot u emërua ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës, ndërsa Nufi, i cili ka qenë drejtor kabineti i Ballukut, u emërua ministër i Mbrojtjes.
“Më në fund Rama dorëzohet dhe lëshon Belinda Ballukun. E heq atë nga Qeveria, kur në fakt Balluku nuk ishte më në qeverisje, pasi ishte pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Por ajo që është më e rëndësishme është se Balluku nuk është larguar totalisht nga Qeveria, pasi në Qeveri ka futur zarat e saj. Një prej tyre është Enea Karakaçi, i cili emërohet ministër i Infrastrukturës, por para se të bëhej ministër ai ishte një nga drejtorët e Ballukut, ishte drejtor i OSHEE-së. Por ajo që është më e rëndësishme është se ishte në hetim nga SPAK. Por pavarësisht se është nën hetim nga SPAK, vendoset në krye të Ministrisë së Infrastrukturës.
Një zar tjetër i Ballukut është Ermal Nufi, i cili ishte drejtor i kabinetit të Ballukut dhe Rama e bëri ministër të Mbrojtjes. Defacto nuk ka ndryshuar asgjë, kanë hequr Ballukun, por kanë vendosur zarët e saj në Qeveri. Praktikisht Balluku vazhdon të qëndrojë në pushtet”, tha mes të tjerash Shehaj.
Lajmi kryesor:
Shkarkohet Balluku, Rama ndryshon qeverinë! Koçiu zv.kryeministre, Karakaçi te Infrastruktura! Lamallari ministër i Brendshëm, Hoxha i Jashtëm, Gogu te Drejtësia! Ikin Spiropali e Vengu









