Minatori i Bulqizës: Vagoni me
2 t krom më këputi këmbën

Minatori i Bulqizës: Vagoni me<br />2 t krom më këputi këmbën
BULQIZE - Miniera e Bulqizës, ku “të mëdhenjtë” pasurohen, ndërsa punonjësit e saj rrezikojnë jetën, duke punuar ditë e natë si skllevër për të ushqyer fëmijët. Punë, ku askush nuk është i sigurtë.

“Këtë rradhë fatkeqësia ishte e imja”, shprehet minatori, Mustafa Kola, 49-vjeç i cili mbeti i plagosur pasditen e së enjtes në minierën e kromit Bulqizë. Ai rrëfen për “Shqiptarja.com” se si vagoni me dy tonë krom ka marrë shpejtësi, duke i këputur atij këmbën. “Ishim katër punëtorë. Na ra vagoni në kanal dhe duke e ngritur tre punëtorët po e shtynin nga mbrapa, ndërsa unë isha përpara duke e prerë.

Ndoshta, ju shmangëm përgjegjësisë dhe pakujdesia bëri që vagoni të merrte shpejtësi të madhe. Në atë moment u mundova të largohesha se përndryshe do të më këpuste në mes.

U largova me trup por më mbeti këmba, që mu këput nga pesha e rëndë sepse ishte me materiale, kishte dy tonë krom sipër. Ishin shokët e punës ata që më kanë nxjerrë nga nëntoka dhe më dërguan në spital. Më pas rreth orës 16.00 më sollën me helikopter në spitalin Ushtarak” tregon babai i dy fëmijëve. Ai shprehet gjithashtu se ka punuar 24 vjet si mekanik dhe brigadier dhe tani ka përfundur si punëtor i thjeshtë.

“Mbas 24 vitesh punë, tashmë jam një manovrues vagonash. Kjo punë nuk ka asnjë lloj sigurie për jetën por nuk na mbetet gjë tjetër veçse të punojmë sepse duhet të ushqejmë fëmijët” përfundon 49-vjeçari. Sipas mjekëve të spitalit Ushtarak, Kola ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ditën e hënë ai do ti nënshtrohet një operacioni në këmbë.

Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime dhe vranësira, ja si parashikohet moti për fundjavën

Kthjellime dhe vranësira, ja si parashikohet moti për fundjavën