Miniera e menaxhuar nga serbët bën më shumë shitje se krejt të tjerat të 'Trepçës'

Miniera e menaxhuar nga serbët bën më shumë shitje se krejt të tjerat të 'Trepçës'

Foto ilustruese

Miniera me Flotacion Kopaonik në Leposaviç gjatë 2023-tës ka realizuar të hyra në vlerë prej rreth 9 milionë eurosh nga shitja e koncentratit të nxjerrë të plumbit dhe të zinkut. Kjo shumë është më e lartë sesa ato që i kanë realizuar bashkërisht minierat e tjera të “Trepçës”. Dogana ka refuzuar t’i ofrojë shifrat e kësaj shitjeje, duke u bazuar në detyrimin për t’i respektuar standardet e konfidencialitetit. Ndërkaq institucionet qeveritare nuk kanë treguar nëse kanë kontroll mbi Minierën me Flotacion Kopaonik në Leposaviç

Rreth 9 milionë euro janë të hyrat e realizuara nga shitja e koncentratit të plumbit dhe të zinkut, të nxjerrë në Minierën me Flotacion Kopaonik në Leposaviq vetëm gjatë vitit 2023.

Sipas raporteve të ndërmarrjes “Trepça”, minierat në Stantërg dhe në Kishnicë e Artanë bashkërisht kanë realizuar shitje për 1.5 milionë euro më pak se ajo në veri.

Një minator, i cili punon në Stantërg, ka thënë se miniera që operon në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, eksporton më shumë xehe.

“Atje është më ndryshe se te ne, pra, menaxhimi bëhet ndryshe. Ata e kanë më të lehtë të operojnë. Në pjesën veriore bëjnë nxjerrje të xeheve më shumë, pra, këtu i nxjerrin plumbin dhe zinkun. Shitja bëhet në treg të lirë. Zinkun rregullisht e dërgojnë në Bullgari ose në Poloni përmes pikës kufitare në Merdar”, ka theksuar ai.

Zyrtarë të Doganës së Kosovës kanë refuzuar të tregojnë për sasinë e xehes që eksporton Miniera me Flotacion në Leposaviq, me arsyetimin se janë të detyruar që t’i respektojnë standardet e konfidencialitetit dhe të mbrojtjes së të dhënave.

“Kjo na ndalon të ndajmë informacion të detajuar lidhur me sasinë e xeheve të eksportuara për çdo kompani veç e veç, pasi një veprim i tillë do t’i shkelte rregullat për mbrojtjen e të dhënave dhe sekretit tregtar”, kanë thënë në Doganë.

Informacione mbi punën e minierës në Leposaviq ka refuzuar të japë edhe drejtori i saj, Dejan Kirstiq.
E, Besart Zhuja, hulumtues në Institutin GAP, ka thënë se ka faktorë të ndryshëm që ndikojnë në rritjen e të hyrave në minierën në Leposaviq.

“Këtu mund të ndikojnë një seri e faktorëve, siç janë investimet në mirëmbajtjen dhe në operimin e fabrikave të përpunimit të xeheve, menaxhmenti si dhe pjesët e tjera të operacioneve në ndërmarrje”, ka theksuar Zhuja.

Drejtori i Minierës në Stantërg, Shyqeri Sadiku, ka thënë se mungesa e numrit të minatorëve ndikon në ulje të prodhimit.

“Kohën e fundit jemi me prodhim si identikë, por që ne kemi mungesë të fuqisë punëtore. Pra, aq më shumë punëtorë në minierë që të rrisim prodhimin edhe ne si ndërmarrje të punojmë intensivisht”, ka bërë të ditur Sadiku.

Ish-drejtori i ndërmarrjes “Trepça”, Ferat Shala, i cili aktualisht është deputet i Partisë Demokratike (PDK), ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë qasje dhe kontroll në minierën në veri.

“Nuk iu kanë nënshtruar asnjëherë pjesës së asaj që është menaxhim i institucioneve të Kosovës, është menaxhuar nga institucionet e tjera paralele dhe vazhdon të menaxhohet kështu”, ka thënë ai.
Në Qeveri dhe as në Ministrinë e Ekonomisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për kontrollin mbi minierën e menaxhuar nga serbët.

Por, drejtori i Minierës në Stantërg ka bërë të ditur se komunikimi ekziston.

“Kemi takime të kohëpaskohshme dhe po besoj që jemi në rrugë të mirë atje që t’i ruajmë kontaktet me ta, kemi edhe shkëmbim të mjeteve të punës, por edhe çfarë na nevojitet”, ka theksuar drejtori Sadiku.

Në vitin 2016, Qeveria ua ka ndërruar statusin tri njësive kryesore të “Trepçës”. Me këtë, minierat me flotacion në Stantërg, ato në Kishnicë dhe në Artanë, si dhe minierat në Leposaviq funksionojnë brenda shoqërisë aksionare, në të cilën 80-përqindëshi i pronësisë i takon Qeverisë, ndërsa 20 për qind, punëtorëve. /koha.net/

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    10 Dhjetor, 10:15

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?



×

Lajmi i fundit

Antonio Conte e dëshiron Ardian Ismajlin në janar, Empoli bën lëvizjen e papritur

Antonio Conte e dëshiron Ardian Ismajlin në janar, Empoli bën lëvizjen e papritur