Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhe ndodhet në Berlin ku po merr pjesë në Ministerialin e Turizmit, në kuadër të panairit më të madh në botë dedikuar kësaj fushe. Ministeriali bëri bashkë përfaqësues nga 40 shtete. Gonxhja ka ndarë një video në rrjetet sociale për të treguar më në detaje se çfarë ndodh në këtë organizim të rëndësishëm.
Shqipëria vjen me një përfaqësim të gjerë dhe këto ditë do të ketë një promovim të fortë të destinacioneve shqiptare para mediave, profesionistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Gonxhja thotë se Shqipëria spikat natyrshëm falë elementëve të saj të shumtë si ofertë autentike dhe një histori suksesi.
“Sot në Berlin, në kuadër të ITB Berlin, panairit më të madh në botë për turizmin, Shqipëria mori pjesë në Ministerialin e Turizmit të organizuar nga UN Tourism, me ministra e qeveritarë nga rreth 40 shtete, një ditë përpara çeljes së panairit për publikun.
Shqipëria prezantohet me një pavijon dinjitoz dhe me një përfaqësim të gjerë nga tour operatorë, institucione, bashki dhe organizata të ndryshme të sektorit të turizmit. Nga nesër, na presin ditë intensive promovimi të destinacioneve tona përpara mediave ndërkombëtare, profesionistëve të industrisë dhe partnerëve nga e gjithë bota.
Tema e ministerialit iu kushtua fuqizimit të destinacioneve të reja dhe potencialit të tyre, një temë ku Shqipëria spikat natyrshëm si një destinacion atraktiv në rajon dhe më gjerë. Me natyrën tonë të jashtëzakonshme, traditën, kulturën, trashëgiminë, mikpritjen dhe klimën e bekuar, vijmë në Berlin me një ofertë autentike dhe një histori suksesi që meriton të dëgjohet”, thotë Gonxhja.
Komente












