Hapat e para e dialogut me protestuesit janë hedhur. Ministri Blendi Gonxhja thotë se është takuar me të rinjtë protestues, të cilët janë shprehur pa asnjë kufizim e kompleks për shqetësimet e tyre.

Nga takimet janë mbajtur shënime dhe kjo do të vijojë me një plan konkret veprimi, thotë ministri në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv. Gonxhja shton se ky takim është paraprirë nga të tjerë me përfaqësues të OJF-ve.

“Tryeza është e barabartë. Të gjithë kanë folur pa asnjë lloj limiti ore për çfarëdo kanë pasur, për eksperiencat dhe shqetësimet e tyre, pa asnjë kufizim. Ishte formë shumë e bukur dialogu. Kemi një listë me shënime. Kjo do të përkthehet në plan veprimi, ndoshta edhe në qytete të tjera. Ka pasur takime edhe javën e shkuar dhe përpara saj nga përfaqësues të OJF-ve. Unë mbuloj 4 portofolë që kanë të bëjnë me rininë. S’ka qenë një takim as detyrues, as moralizues, as të kishte shtet e qeveri që i flet dhe u jep mend të rinjve. S’ka qenë një takim që ne mund të justifikonim pozicionin tonë”, tha Gonxhja.

Të rinjtë nuk kanë ngurruar të shprehin kritikat e tyre, vijoi ministri, ku s’kanë munguar as shqetësimet për disa ministri.

“Kanë ardhur të përfaqësojnë veten e tyre. Kam reflektuar shumë thellë dhe unë vetë për shumë aspekte”, tha Gonxhja.

Takimi me të rinjtë u zhvillua një ditë më parë. Gonxhja e ndau postimin në rrjete sociale ku cilësoi se në diskutim morën pjesë “zërat konstruktivë të protestës”.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:10
Kandidat për bashkinë Tiranë? Gonxhja: S’kam projekt personal, por nuk refuzoj nëse PS më propozon! Kërkesa e Veliajt për Asamblenë, ministri: Çështja s’i përket partisë

Pjesëmarrja e Erion Veliajt në Asamblenë e Partisë Socialiste nuk është çështje për të cilën vendimmarrja i takon kësaj të fundit, thotë ministri Blendi Gonxhja.Ai ndau keqardhje e solidaritet për kryebashkiakun, i cili ndodhet në spitalin e burgut të Fierit.

“Kush nuk ndihet i keqardhur për situatën ku ndodhet Veliaj dhe për situatën shëndetësore dhe nuk diskutohet që nga pikëpamja e solidaritetit njerëzor. Në çdo aspekt, heqja e lirisë dhe së drejtës për të marrë pjesë në aktivitete dhe funksionin e tij normal të zgjedhur dhe të fituar nuk kalon nga PS. Janë sqaruar me tërë solidaritetin e ndjeshmërinë tonë, nuk ka lidhje me ne. Duhet të rregullohet në raportin ligjor me ata që mbrojnë të drejtat e Veliajt”, tha Gonxhja në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv.

Gonxhja shmangu komentet për ‘luftën’ Rama-Veliaj pas akuzave të kryebashkiakut, duke e vënë theksin te paraburgimi i tij që e quan “kosto elektorale”.

“Jam shumë i keqardhur që kemi këtë avari që rëndon mbi eficencën e menaxhimit të kryeqytetit. Ne jetojmë në këtë qytet. E njoh shumë mirë bashkinë e Tiranës dhe aparatin e saj. Kjo avari e rëndë që kryetari është në paraburgim, i kushton shumë kryeqytetit. Ka edhe kosto elektorale sepse qyteti ka goxha kohë që nuk ka kryetarin e vet në zyrë. Nuk zëvendësojmë dot gjykatat”, tha Gonxhja.

I pyetur nëse do të kandidojë për bashkinë e Tiranës, ministri tha se s’ka asnjë ambicie e projekt personal, por do t’i përgjigjej Partisë Socialiste nëse do t’ia kërkonte diçka të tillë.

“Gjatë gjithë jetës sime nuk ka ndodhur ndonjëherë që të kem deklamuar, folur, lutur, që të kem një projekt personal nuk e bëj dot dhe ta shpalos. Unë jam një prej shumë deputetëve të PS, jo të gjithë e njohin njësoj Tiranën, jo të gjithë kanë sedrën për Tiranën. Si shumë prej atyre që militojnë, punojnë, angazhohen, nuk do të lija gjë pa bërë që të ndihmoja kauzën, projektin. Nëse PS do të kishte një projekt, nuk diskutohet që do të isha këtu për të dhënë kontributin tim. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që kjo mos të tingëllojë si Blendi që kërkon një gjë që nuk e vendos Blendi. Ka shumë rëndësi që të kemi zgjedhje të mira, të kemi zgjidhur këtë problematikë që kemi para nesh dhe që duhet ta kanalizojmë në një energji që t’i japë të mira vendit dhe mos ta dëmtojë Tiranën”, tha Gonxhja.

Ora 13:57
10% TVSH për turizmin, Gonxhja: Taksa e ulët s’dha rezultatin e pritshëm! Protestat e dhunshme, ministri zbardh shifrat: Rezervimet ranë me 68%

Rritja e TVSH-së nga 6 në 10% për industrinë e turizmit ka shkaktuar pakënaqësi te shoqatat që thonë se dëmtohen dhe kërkojnë stimulim nga qeveria.

Në përgjigje të kësaj, ministri Blendi Gonxhja thotë me keqardhje në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv se pikërisht TVSH-ja e ulët nuk solli rezultatet e pritura, për shkak të informalitetit.

“Një politikë e tillë kaq mbështetëse, kaq ndihmuese duhet të ishte shpërblyer për taksapaguesit, për buxhetin e shtetit, formalizimin e ekonomisë, deklarimin e të ardhurave, për atë që është gjithë sektori i turizmit brenda ekonomisë. Jemi të pakënaqur që një masë e tillë nuk ka dhënë rezultatin e avantazhuar. Për shkak të deklarimeve të ulëta që nuk i përgjigjen realitetit, do ta ndajmë me sektorin. Taksat e ulëta do të thonë formalitet i lartë, i plotë, kundërpërgjigje pozitive. Nëse nuk përgjigjemi pozitivisht, s’kemi gojë të flasim. Kemi edhe një problem të madh mentaliteti që nuk duam ta deklarojmë atë që bëjmë, duam ta fshehim xhiron. Flas për atë që do të kishte ardhur në buxhet”, tha Gonxhja.

Duke pranuar se protestat e dhunshme të tetorit kanë dëmtuar turizmin, ministri publikoi për herë të parë edhe disa shifra. Ai shton se zhvillimet dhe pasojat e tyre po ndiqen me kujdes dhe ndryshimet mund të rishikohen nëse ka nevojë.

“Për shkak të situatës së tetorit, për shkak të rënies së ndjeshme të numrit në tetor, me gati 80%, nuk diskutohet që jemi duke e parë me shumë kujdes çdo gjë. Kemi edhe një shifër që na shqetëson. Për shkak të anës së dhunshme të protestave në tetor, kemi një rënie prej 68% të projeksionit të rezervimeve për vitin e ardhshëm. Ne do t’i analizojmë këto ngjarje dhe nëse do të ketë nevojë, do ta rimendojmë”, tha Gonxhja.