Në kuadër të nismës së qeverisë ‘Shkolla si qendër komunitare’, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni  ka pritur nxënës dhe mësues të shkollës së mesme “18 Tetori”, në Lushnje, shkollë e cilë është në patronazhin e saj. Ky takim i ministres Gjermenit me nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle erdhi pas shpalljes fitues të projektit të tyre ,’karikuesi portabël me energji diellore’, në konkursin e Shoqërive të nxënësve të Junior Achievement.
Ministrja Gjermeni e konsideroi brilante idenë e karikuesit portabël me energji diellore, produkt i realizuar në një kohë rekord, nga Tetori i vitit 2014-të,  që u konsiderua më i miri dhe u vlerësua me çmimin e parë në Panair.

“Më erdhi shumë mirë që u përfaqësuat denjësisht dhe fituat. Shkolla “18 Tetori” është një nga më të mirat në republikë. Çmimi është i rëndësishëm po aq sa dhe nxitja e aftësive të sipërmarrjes dhe rolet të cilat ju i keni ndarë kaq mirë mes jush. Një produkt inovativ, që kursen energji dhe i krijuar me shumë dashuri, duke parë dhe përkushtimin e treguar duke filluar nga ideja e deri te kthimi i kësaj ideje në një produkt të prekshëm dhe që i vjen në ndihmë të gjithëve.
Dua t’ju komplimentoj vërtet për këtë arritje dhe të falënderoj edhe Programin Junior Achievement që nxit talentin, aftësitë dhe nxjerr në pah prirjet e të rinjve për të prodhuar diçka dhe për ta bërë atë mirë”, tha Ministrja Gjermeni gjatë bashkëbisedimit me nxënësit e gjimnazit “18 Tetori”.

Në këtë panair,  22 shkollat më të mira në kuadër të programit Junior Achievement, prezantuan projektet e tyre përmes produkteve dhe shërbimeve që kanë realizuar me përpjekjet, punën dhe përkushtimin e tyre përgjatë këtij viti akademik dhe fitues u shpall, projekti i karikuesit portabël me energji diellore, i kësaj shkolle.
Projekti fitues i kësaj shkolle  do të ketë mundësinë të garojë më tej në konkursin mbarë Europian të shoqërive të nxënësve në Berlin, që do të realizohet në korrik 2015.

eglantina gjermeni
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)