Ministrat prezantojnë planin e
ndërtimit të rrugëve

Ministrat prezantojnë planin e<br />ndërtimit të rrugëve
Gjatë vitit të ardhshëm parashikohet të rinisin punimet në akset kryesore të transportit rrugor, të cilat në katër vitet e kaluara kanë ecur me ritme shumë të ngadalshme, për arsye nga më të ndryshmet. Këtë e kanë deklaruar dje, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste ministri i Ekonomisë e Financave, Arben Ahmetaj, si dhe ai i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri. Të dy ata deklaruan se, përveç Rrugës së Arbrit, kontrata për ndërtimin e pjesës së mbetur të së cilës nënshkruhet pas disa javësh, punimet do të rifillojnë në By Pass-et Fier dhe Vlorë, në Rrugën e Kombit, do të vazhdojnë në aksin Qukës – Qafë Plloçë, si dhe do të fillojnë nga e para në aksin e ri Thumanë – Vorë. Po kështu, do të punohet edhe në dy segmentet e mbetura të Unazës së Madhe të Tiranës, si dhe pritet të përfundojë autostrada Tiranë – Elbasan.

Dy By Pass-et, nyje shumë të rëndësishme të aksit Veri – Jug, janë bllokuar pasi kontraktori Serenissima ka shpallur falimentin dhe autoritetet shqiptare u detyruan të bëjnë nga e para tenderat për të përfunduar punimet. Të dy veprat financohen nga bankat evropiane. Ndërsa punimet për Fierin kanë avancuar shpejt, ato për Vlorën kërkojnë shumë kohë që të përfundojnë.

Por 2018-a do të jetë, sipas anëtarëve të qeverisë, vit i përshpejtimit të punimeve në to. Durrës-Kukës-Morinë është marrë përsipër nga kontraktori privat për të përfunduar mangësitë në projekt, që nuk u plotësuan nga qeveria Berisha, por as gjatë katër viteve të asaj Rama 1. Kjo do të arrihet duke vendosur për herë të parë pagesë për automjetet, krahas pagesës edhe nga buxheti i shtetit.

Rruga e Arbrit për pjesën e mbetur pritet të fillojë gjithashtu nga ndërtimi pas pak javësh, me financim të shtetit shqiptar. Qukës-Qafë Plloçë ka filluar që para katër vitesh, me financim edhe të bankave arabe, por projekti kë ndryshuar dhe ecuria ka qenë shumë e ngadaltë. E njejta gjë ka ndodhur edhe me rrugën e re të Elbasanit, ku projekti ndryshoi pas një shembjeje masive në zonën e Ibës.

Ndërkohë, Unaza e Madhe e Tiranës parashikohet të ketë shpenzime jo të vogla për shpronësimë, përveç përplasjeve të natyrës sociale me ndërtuesit e banesave pa leje, në dy segmentet e mbetura, që kalojnë në Farkë-Kinostudio dhe Babrru-Bregu i Lumit.

Aksi i ri Thumanë-Vorë-Rrogozhinë parashikohet të krijojë një lehtësim të ndjeshëm të lëvizjeve nga Veriu në Jug, duke shmangur kalimin e detyruar sot nga Durrësi, por kjo do të ishte një vepër e financuar nga investitori, i cili do ta detyronte kalimin e automjeteve në të me pagesë.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS