PRISHTINË, 15 Janar/ATSH/.- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, priti të enjten në takim Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Drejtorin e Urbanizmit Liburn Aliu, me të cilët bisedoi për mundësinë e bashkëpunimit të ndërsjelltë në fushat përkatëse.
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti përgëzoi ministrin Agani për postin e ri dhe shprehu gatishmërinë e komunës për bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve përkatëse.
Ministri Agani falënderoi delegacionin e komunës, me në krye Kryetarin Ahmeti, për vizitën dhe ofroi bashkëpunimin në fushën e planifikimit dhe ndërtimit, veçanërisht në zbatimin e ligjit për planifikim hapësinor, ligjit të ndërtimit dhe ligjit për ndërtimin pa leje.
Të dyja palët u pajtuan që sa më shpejt të formohet një grup pune për trajtimin e problematikave, që shfaqen në terren në fushën përkatëse./KosovaPress/k.s/