Ministri Blendi Gonxhja mirëpriti në MTKS Sekretarin e Përgjithshëm të FIBA-s, Andreas Zagklis, anëtarin e Bordit të FIBA Europe, Michal Konecny, dhe Presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

Gjatë takimit me ta u diskutua për zhvillimin e basketbollit shqiptar përmes rritjes së mbështetjes për federatën dhe investimeve në infrastrukturën sportive, me fokus krijimin e hapësirave të dedikuara për basketbollin.

Vëmendje të veçantë gjatë takimit iu kushtua ligjit të sponsorizimit si instrument për të nxitur përfshirjen e sektorit privat dhe për të zgjeruar burimet financiare për klubet e sportistët, si dhe forcimit të bashkëpunimit me FIBA-n për një basketboll shqiptar më konkurrues në arenën ndërkombëtare.