Ministri Blendi Klosi: Rritet
interesi për arsimin profesional

Ministri Blendi Klosi: Rritet<br />interesi për arsimin profesional
Është një histori e tërë, natyrisht ky rezultat nuk ka ardhur nga veprimet e një dite, por të gjitha atyre që janë realizuar tre vitet e fundit e që kanë të bëjnë me një orientim më të qartë të tregut të punës në vendin tonë. Jemi përpjekur shumë për të kuptuar arsyet se përse ka papunësi.

Në ndryshim nga vendet e tjera, Shqipëria ka një papunësi të një natyre më të ndryshme se ajo klasike, e cila vjen edhe për shkak të mungesës së profesionalizimit të gjeneratës, nga politikat e gabuara në arsim, që kanë orientuar drejt diplomave false nga universitetet private. Kështu u harrua edukimi profesional në vendin tonë. Ne jemi përpjekur që gjatë kësaj periudhe, veçanërisht në vitin e fundit, ta orientojmë kategorinë e të papunëve drejt arsimit dhe formimit profesional. Po kështu, programet e nxitjes së punësimit që ka zbatuar Shërbimi Kombëtar i Punësimit e që janë mbështetur me fonde nga qeveria shqiptare, janë orientuar drejt punësimit të të rinjve, grave, personave me aftësi të kufizuar dhe grupeve më në nevojë.

Ne jemi nën një monitorim të rreptë nga Bashkimi Europian për sa i përket zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësim 2014-2020, e cila ka dhënë efekte në uljen e normës së papunësisë.

Megjithatë, ne vazhdojmë që të kemi një problem të madh, siç është ai i kërkesë–ofertës, pra mes asaj që kërkojnë bizneset dhe të asaj që paraqesin të papunët. Aktualisht janë rreth 38,836 vende pune të shpallura në zyrat e punës, por në të njëjtën kohë kemi edhe shumë të papunë. Ajo që duam të bëjmë dhe për të cilën jemi angazhuar është që ta orientojmë këtë kategori drejt formimit profesional.
 
A mendoni se po u afrohemi kërkesave që ka tregu sot?
Jo, jemi ende larg dhe duhet më shumë punë. Jemi duke u përpjekur për të rritur imazhin e arsimit profesional dhe për ta bërë atë sa më cilësor. Në vitet në vazhdim ne do të fokusohemi te garantimi i cilësisë më të madhe në shkollat tona të formimit profesional. Konstatojmë se një numër gjithnjë në rritje i të rinjve po zgjedhin këtë arsimim. Shifrat janë rritur disa herë në krahasim me vitin 2013. Gjatë vitit të kaluar, ne kishim objektiv të dyfishonim numrin e atyre të rinjve që zgjidhnin arsimin profesional dhe të merrnin një certifikatë për këtë formim. Sot, objektivi ynë është që të dyfishojmë numrin e të diplomuarve dhe kjo do të mund të arrihet duke e shtrirë këtë filozofi edhe te shkollat private. Në këto kushte kemi rritur edhe bashkëpunimin me biznesin privat, janë rreth 520 sipërmarrje që ofrojnë praktika të formimit profesional dhe trajnime të ndryshme.
 
Në rritjen e shifrave të punësimit, pritet që të ndikojë edhe formalizimi i tregut të zejtarisë, kam parasysh këtu regjistrimin e tyre në dhomat që do të ngrihen…
Zejtarët do të jenë të gjithë të grupuar në Dhomën Kombëtare të Zejeve, që do të ngrihet në të 61 bashkitë në vend. Modeli do të jetë ai gjerman: nxënësit e arsimit profesional nuk do të marrin vetëm mësim në bankat e shkollës. Edukimi profesional do të jetë pranë zejtarëve, ku do të kenë pas përfundimit të shkollës edhe vendin e punës të garantuar.

Me krijimin e një tregu të zejeve, ne nuk synojmë vetëm formalizimin apo ngritjen e strukturave për t’u organizuar, por edhe për ta bërë këtë komunitet, disi vulnerabël, më konkurrues edhe kundrejt biznesit të madh. Ne po ndërmarrim fushata ndërgjegjësimi për t’i njohur këta zejtarë me përfitimet që do të kenë nga anëtarësimi në dhoma, duke u deklaruar si të tillë. Një nga avantazhet më të mëdha është padyshim fakti se qeveria e ka përjashtuar këtë kategori nga taksat. Gjithashtu anëtarësimi në këto organizma jep mundësi për të arritur tregje më të mëdha, pra nga zonat lokale ku ndodhen t’u afrohen qendrave urbane. Në qytetet e mëdha ka mungesë të theksuar për zejtarë që ofrojnë shërbimet më të nevojshme. Përmes dhomave të zejtarisë, ne do të mund të identifikojmë këtë komunitet, por më e rëndësishmja është se ata do të përfitojnë trajnime të vazhdueshme dhe të përhershme, si në kualifikimin e zanateve, ashtu edhe për ngritjen e bizneseve të vogla. Kështu ata do të mund të bëhen kontribuues në zhvillimin e ekonomisë.
 
Për sa kohë shteti do të mund të ndihmojë me subvencionimin e tarifave të anëtarësimit?
Bazuar në ligjin “Për zejtarinë” të miratuar pak kohë më parë, zejtarëve që do të regjistrohen në këto dhoma, shteti do t’iu subvencionojë tarifën për dy vjet. Shteti do të punojë që ky komunitet të jetë i trajnuar dhe i menaxhuar në mënyrë të programuar.
 
Një nga avantazhet që ka Shqipëria në tregun e punës, është padyshim edhe kostoja e ulët. A po mendon qeveria për mundësinë e rishikimit të rritjes së pagës minimale?
Është një debat që na ka ardhur nga vetë komuniteti i biznesit dhe i sindikatave. Ka një debat për nivelin e rritjes. Por, padyshim që në paketën dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm do të përpiqemi të kemi një rritje të pagës minimale, por sërish nuk do të arrijë në nivelin e dëshiruar, por të paktën do të jetë një rritje e cila do të vihet në shërbim të të punësuarve.

Dhoma e Zejtarisë, si do të funksionojë
 

Në Shqipëri mungojnë të dhënat për numrin e saktë të personave që ushtrojnë një zeje, ndaj dhe u vlerësua si domosdoshmëri njohja më e plotë e tyre. Për këtë, ligji parashikon organizimin e plotë të veprimtarisë zejtare dhe krijimin e një sistemi dual të kualifikimit. Një model tërësisht gjerman. Kjo nënkupton që ndihmësi, një pjesë të madhe të kohës do ta kalojë në mjedisin e punës dhe të praktikës dhe një pjesë më të vogël kohe në shkollë. Këta persona që nuk do të njihen me emërtimin nxënës, por ndihmës, do të kenë mundësi që të paguhen për periudhën e mësimit të profesionit.

Ky model është përqafuar edhe nga vende të tjera, si Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina apo Bullgaria, natyrisht i përshtatur edhe sipas dinamikave të tregut.

Të gjithë zejtarët do të duhen të organizohen në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë, e cila do të krijohet mbi bazën e këtij ligji. Anëtarësimi do të jetë i detyrueshëm dhe anëtarë të Dhomës do të jenë mjeshtrit, ndihmësmjeshtrit dhe ndihmësit, si dhe sipërmarrjet e zejtarisë. Në dy vitet e para, anëtarësimi do të jetë me kosto zero për grupet e veçanta, si p.sh., ndihmësit apo bizneset sociale, ndërsa për të tjerë, si në rastin e sipërmarrjeve, do të duhet të paguhet një tarifë shërbimesh. Megjithatë, duhet të theksojmë se Dhoma do të duhet të vetëfinancohet dhe do të veprojë si një person juridik pa qëllim fitimi. Ajo do të jetë një nga elementet bazë të funksionimit të sistemit dual në Shqipëri.

Çdo person që ka mbushur moshën 15 vjeç (e përcaktuar në Kodin e Punës, si kohë kur mund të fillohet marrëdhënia e punës) mund të trajnohet dhe të kualifikohet. Ai mund të afrohet pranë një sipërmarrjeje me të cilën mund të nënshkruajë një kontratë. Në këtë moment do të jetë punëdhënësi që do ta regjistrojë në Dhomën Kombëtare të Zejtarisë, si ndihmës. Këtu fillon edhe procesi i kualifikimit në vendin e punës. Për këtë person do të përshtaten edhe kurrikulat, në bazë të së cilës do të merren edhe njohuritë teorike. Kjo do të përcaktohet nga Dhoma në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve. Periudha e kualifikimit si ndihmës zgjat tre vjet. Pas kësaj, personi ka të drejtë të japë provimin dhe të certifikohet si ndihmësmjeshtër. Ky do të jetë një testim praktiko-teorik.

Marrëdhënia e punës (përfshi këtu edhe aspektin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore) do të rregullohet me kontratën e mësimit të profesionit dhe parashikohet vetëm pjesa që mbulon aksidentet në punë.

Personi, pas marrjes së titullit ndihmësmjeshtër, ka të drejtë të punojë në zanatin e zgjedhur. Por nëse do të dojë të marrë titullin mjeshtër, atëherë minimalisht do të duhet të ketë tre vjet përvojë pune si ndihmësmjeshtër. Ligji përcakton se mjeshtri është titulli më i lartë që mund të merret. Edhe për këtë fazë, personi do të duhet t’i nënshtrohet testimit praktiko-teorik. Janë krijuar hapësira ligjore edhe për ata që përfundojnë studimet në fusha të afërta me zejtarinë, si dizajni, inxhinieria e tekstilit, etj., ku do të zbatohet konvertimi i diplomave, në mënyrë që personi të mund të futet në sistemin e titujve.

Një tjetër rast ka të bëjë me njohjen e ‘të nxënët të mëparshëm’ që ka të bëjë me zanatet e marra gjatë procesit të punës (p.sh., gjatë emigrimit), por që nuk mund të vërtetohet. Ata mund ta certifikojnë zanatin e tyre përmes dhënies së provimit. Për këtë do të ketë disa kritere dhe procedura.
Dhoma do të lobojë për të gjetur tregje. Nga ana tjetër, certifikimi i zanateve do të bëjë të mundur që ata të njihen edhe në tregjet e huaja.
Anëtarësimi në dhomë do të krijojë një bazë të saktë të dhënash për zejtarët.

Në ligj është parashikuar që në zonat e mbrojtura historike, arkeologjike dhe kulturore (të përcaktuara në ligjin për Zonat e Mbrojtura) do të ndalohet importimi i produkteve me karakter kombëtar. Produktet që do të tregtohen, duhet të zbatojnë të gjitha standardet për të qenë modele ‘besnike të shpallura’, autentike dhe që janë të përfshira në regjistrin e trashëgimisë kulturore. Kjo do të bëjë të mundur edhe mbrojtjen e artizanëve shqiptarë nga konkurrenca e pandershme që vjen nga produktet e falsifikuara.
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja