Kriza politike brenda Partia Laburiste po thellohet, pasi ministri britanik i Shëndetësisë, Wes Streeting, ka dhënë dorëheqjen nga qeveria e kryeministrit Keir Starmer, duke deklaruar se ka humbur besimin te lidershipi i tij.

Në një letër të publikuar në rrjetin social X, Streeting e lidhi largimin me krizën që sipas tij po kalon Partia Laburiste pas rezultateve të fundit zgjedhore.

“Rezultatet zgjedhore të javës së kaluar ishin të paprecedenta, si për përmasën e humbjes, ashtu edhe për pasojat e këtij dështimi. Për herë të parë në historinë e vendit tonë, nacionalistët janë në pushtet në çdo cep të Mbretërisë së Bashkuar. Progresistët e kuptojnë këtë kërcënim dhe përgjegjësinë tonë për ta përballuar, por po humbasin gjithnjë e më shumë besimin te aftësia e Partisë Laburiste për të përmbushur përgjegjësinë historike për të mposhtur racizmin dhe për t’u dhënë njerëzve shpresën se ditët më të mira të Britanisë janë ende përpara”, shkroi ai.

Ish-ministri britanik kritikoi ashpër edhe mënyrën si po drejtohet partia nga Starmer.

“Aty ku duhet të ketë vizion, ka boshllëk. Aty ku duhet të ketë drejtim, ka humbje orientimi. Tashmë është e qartë se nuk do të jesh ti ai që do ta udhëheqë Partinë Laburiste në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme”, deklaroi Streeting në letrën drejtuar kryeministrit.

Sipas mediave britanike, Streeting pritet të shpallë zyrtarisht kandidaturën për të sfiduar Starmerin për drejtimin e partisë dhe postin e kryeministrit. Një ditë para dorëheqjes, Starmer dhe Streeting zhvilluan një takim në Downing Street që zgjati vetëm 16 minuta, çka u interpretua si shenjë e përplasjes së fortë mes tyre.

Nëse Streeting hyn zyrtarisht në garë, kjo do të ishte hera e parë në historinë moderne të laburistëve që një kryeministër në detyrë sfidohet nga brenda partisë ndërsa vazhdon të jetë në pushtet. Megjithatë, rruga e tij nuk duket e lehtë. Për të formalizuar kandidaturën, ai duhet të sigurojë mbështetjen e të paktën 81 deputetëve laburistë.

Ndërkohë, krahu i majtë i partisë po përpiqet të nxjerrë kandidatët e vet për të bllokuar ngjitjen e Streeting. Mes emrave më të përfolur janë kryebashkiaku i Mançesterit, Andy Burnham, dhe ministri britanik për Sigurinë Energjetike, Ed Miliband. Pavarësisht krizës së brendshme, Starmer nuk ka dhënë sinjale se do të largohet dhe pritet të luftojë për të ruajtur drejtimin e Partisë Laburiste.