PRISHTINË - Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, po merr pjesë në konferencën me rastin 200-vjetorit të Kongesit të Vjenës që këtë vit i është dedikuar marrëdhënieve mes BE-së dhe Europës Juglindore.
Ministri Çollaku bëri një prezantim mbi pozitën e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe rolin që e luan shteti ynë në normalizimin e gjithëmbarshëm të situatës politike dhe ekonomike. Çollaku mori pjesë në panelin e titulluar "Rajoni i rritjes - Evropa Juglindore", bëhet e ditur në njoftimin e dërguar nga Vjena.
Në këtë panel, ku u debatuan sfidat dhe mundësitë e rajonit për zhvillim, si dhe perspektiva e procesit të anëtarësimit në BE nëpërmjet transformimit dhe një udhërrëfyesi me rol edhe për shoqërinë civile, Ministri Çollaku ishte së bashku me ish Seketarin e MPJ-së të Austrisë dhe kryenegociatorin për Kosovën, Albert Rohan (ish Sekretari Permanent i MPJ-së së Austrisë dhe zëvendës i Marti Ahtisaari, i dërguari special për Procesin e statusit të ardhshëm të Kosovës), Paul Lendval publicist, Jan Zielonka, profesor nga Universiteti i Oksfordit dhe Oskar Mencer, drejtor i një kompanie softueri dhe profesor në Imperial College në Londër.
Në paraqitjen e tij para publikut i përbërë nga opinion-bërës evropianë, redaktorë, politikanë dhe diplomatë, Ministri Çollaku u fokusua të hedh dritë mbi rolin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe efektin pozitiv që ka pasur në rajon, nevojën e përshpejtimit të integrimit euro-atlantik të Kosovës si mënyrën më të mirë të luftimit të esktremizmave politikë dhe fetarë, si dhe për sfidat afatgjata të rajonit të Evropës Juglindore, që ndërlidhen me sfidat që e tërë BE-ja ka ballafaquar me krizën financiare globale./ATSH/