Franca dhe Kosova kanë nënshkruar pesë marrëveshje bashkëpunimi në fusha si ekonomia, arsimi dhe drejtësia, gjatë vizitës në Prishtinë të ministrit francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad.

Marrëveshjet, së bashku me një letër qëllimi, synojnë të thellojnë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe të krijojnë një bazë të re për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe ministri i Financave i Kosovës, Hekuran Murati.

Gjatë konferencës së përbashkët me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, Haddad tha se Franca do të vazhdojë të mbështesë integrimin europian të Kosovës.

“Do të punojmë së bashku që qytetarët e Kosovës të integrohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, u shpreh ministri francez, duke e cilësuar vizitën e tij si dëshmi të besimit të Francës te Kosova dhe rëndësisë që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë edhe për presidentin Emmanuel Macron.

Haddad bëri të ditur se në delegacionin francez ndodheshin edhe kompani franceze dhe përfaqësues të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), me synimin për të forcuar investimet dhe bashkëpunimin ekonomik. Sipas tij, mbështetja e AFD-së përfshin 18 milionë euro për projekte që lidhen me energjinë dhe ndryshimet klimatike, si edhe 16 milionë euro për kompleksin e studentëve, i cili do të përdoret si kamp gjatë Lojërave Mesdhetare.

Ministri francez kujtoi gjithashtu mbështetjen që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke përmendur Konferencën e Rambujesë, Pakon e Ahtisaarit, njohjen e pavarësisë dhe mbështetjen në proceset ndërkombëtare.