TIRANE, 4 Shkurt /ATSH/- Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha sot përpara deputetëve në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese se ligji i ri për energjinë elektrike synon t'i japë fund abuzimeve që bëheshin deri më sot.
"Projektligji ka i qëllim krijimin e një kuadri ligjor në këtë sektor, në objektiv, krijimin e një tregu konkurrues, furnizimin e qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike klientëve, mbron konsumatorin si dhe minimizon kostot e shërbimit të furnizimit", tha Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri, u shpreh se ligji i ri i detyron palët të marrin masa për sigurimin e energjisë, ndersa prodhuesit kanë të drejtë të shesin energji, por të ruajnë balancën e sistemit. Gjiknuri u shpreh se deri në vitin 2017, OST duhet të jetë i ndarë nga operatorët e tjerë dhe siguroi bleresit se nuk do te mbifaturohen .
Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Eduart Shalsi në fjalën e tij, theksoi se ky projektligj do të diskutohet për një kohë të gjatë në komision si edhe do të zhvillohen disa seanca dëgjimore për shkak të rëndësisë që ka.
"Është rënë dakord që ky sistem ka nevojë për një ristartim si edhe kuadri ligjor duhet të fillojë të ndërtohet me themel. Jemi në një moment shumë të rëndësishëm, do fillojmë pikërisht me ligjin e energjisë elektrike. Siç ju bëra me dije të nderuar kolege, ne kemi parashikuar që nga data 15-16, deri në fund të muajit, të zhvillojmë për gjatë tre katër ditëve takime intensive. Do të kemi në komision përfaqësues të kompanive shtetërore, si ata të OSHEE-së, KESH-së, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Ndërkohë që pjesën e dytë kemi edhe konsulta me grupe të ndryshme interesi", tha Shalsi.
Ndërsa Nënkryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Genc Ruli në fjalën e tij theksoi se nisma për liberalizimin e tregut të energjisë është e nevojshme, por në sistemin energjetik shqiptar kjo është e pa realizueshme.
"Në fakt, padyshim që sektori energjetik ka nevojë për te thelluar më tej reformat e ndërmarra në të, ka nevojë të liberalizohet, ndonëse deklarime aq optimiste dhe entuziaste një treg plotësisht të liberalizuar të energjisë, ne as mund ta bëjmë. Madje dhe Evropa ka paketën 1, paketën 2, paketën 3, sepse në fakt tregu më i pa liberalizuar në Evropë vazhdon të ngelet ende tregu energjetik",-deklaroi Ruli. e,xh/f.n/








