Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, mori pjesë sot në ceremoninë e çeljes së vitit akademik 2026–2027 në Shkollën e Magjistraturës, ku iu drejtua kandidatëve të rinj për gjyqtarë, prokurorë dhe profesione të tjera ligjore.
“Dhjetë vjet më parë, sfida ishte të ndërtonim arkitekturën e një drejtësie të re. Sot, sfida është që ajo arkitekturë të bëhet kulturë institucionale”, tha Gogu.
Sipas tij, kjo kulturë matet në punën e përditshme të sistemit dhe në mënyrën se si qytetari e përjeton drejtësinë.
“Qytetari nuk e lexon kulturën institucionale në raporte. E ndien kur vendimi vjen në kohë. E kupton kur i shpjegohet qartë pse fitoi — ose pse humbi”, shtoi Gogu.
Ministri theksoi se shteti i së drejtës nuk kërkon institucione që bien gjithmonë dakord, por institucione që dinë si të mos bien dakord.
“Me argument. Në forumin e duhur. Pa sulme personale. Sa më shumë pushtet ushtrojmë, aq më shumë vetëpërmbajtje duhet t’i kërkojmë vetes”, vijoi më tej ministri.
Për Ministrinë e Drejtësisë, tha ai, kjo do të thotë të mos komentojë çështje gjyqësore në proces, të mos u flasë gjyqtarëve përmes medias dhe të krijojë kushtet e pavarësisë pa e kushtëzuar atë.
“Pavarësia nuk mbrohet vetëm me dispozita kushtetuese. Ajo kërkon siguri në sallën e gjyqit, numrin e nevojshëm të magjistratëve, administratë që funksionon, teknologji dhe infrastrukturë dinjitoze”, tha Gogu.
Duke iu drejtuar kandidatëve, Gogu nënvizoi se drejtësia duhet të jetë e kuptueshme për qytetarin dhe se standardet e reformës duhet të bëhen pjesë e kulturës së zakonshme të punës.
“Për ju, mund të jetë një çështje mes shumë të tjerash. Për të, mund të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së tij”, përfundoi Gogu.
Në ceremoni morën pjesë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj; Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi; drejtuesit e KLGJ-së dhe KLP-së; zv/Prokurori i Përgjithshëm, Arqilea Koca; si edhe përfaqësues të Bashkimit Europian, OSBE-së dhe Këshillit të Europës.
Lajmi kryesor:
Viti i ri akademik/ Rakipi-magjistratëve të ardhshëm: Mos u ndikoni nga pushteti! Ambasadorja e BE: Drejtësia ka ende punë për konsolidim









