Reforma në drejtësi nuk duhet të matet më me numrin e projekteve apo institucioneve të ngritura, por me rezultatet konkrete që japin për qytetarët. Ky ishte mesazhi që Ministri i Drejtësisë Toni Gogu përcolli gjatë një takimi me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të donatorëve.

Në tryezën e organizuar me partnerët që mbështesin sistemin e drejtësisë, Gogu tha se Shqipëria ndodhet tashmë në një etapë tjetër të reformës, ku vëmendja duhet të përqendrohet te performanca e institucioneve dhe efekti që ato kanë në jetën e qytetarëve.

“Për vite me radhë pyetja ishte nëse mund të ndërtonim institucionet e reja të drejtësisë. Sot pyetja është nëse ato po japin rezultatet që presin qytetarët,” deklaroi Ministri Gogu.

Ministri nënvizoi se investimet në sistemin e drejtësisë janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke sjellë më shumë burime financiare dhe shtim të personelit. Sipas tij, kjo rritje tregon angazhimin e shtetit për forcimin e institucioneve të drejtësisë, por sfida tashmë është që këto investime të përkthehen në rezultate të prekshme.

Sipas tij, buxheti i shtetit për sistemin e drejtësisë është rritur nga 66 milionë euro në vitin 2020 në 135.6 milionë euro aktualisht, duke shënuar një rritje prej më shumë se 105 përqind. Në të njëjtën periudhë janë shtuar edhe 709 vende pune në sistem.

Ministri vlerësoi gjithashtu mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, duke bërë të ditur se fondet e planifikuara për periudhën 2025-2027 arrijnë në rreth 43.8 milionë euro.

Sipas tij, bashkëfinancimi mes qeverisë shqiptare dhe donatorëve duhet të kthehet në model standard për projektet e drejtësisë, pasi mundëson realizimin e investimeve me ndikim afatgjatë.

Si shembull, Gogu përmendi projektet e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë. Për sistemin ICMS (Juronix + CAMS), Suedia ka financuar 2.5 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare ka kontribuar me 9.6 milionë euro nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka mbështetur me 7.5 milionë euro sistemin CAMS të prokurorisë.

“Ky është partneritet. Ky është bashkëfinancim”, tha Gogu, duke e cilësuar këtë model si rrugën që duhet të ndiqet për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë.