Liderët e Bashkimit Europian janë përfshirë në një debat të fortë për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të bllokut, me vlerë rreth 2 trilionë euro.

Pas diskutimeve për Ukrainën dhe Kinën, dita e dytë e samitit në Bruksel pritet të dominohet nga përplasjet për Kornizën Shumëvjeçare Financiare, ndërsa vendet anëtare mbeten të ndara për madhësinë e fondit dhe mënyrën se si duhet të shpërndahen paratë.

Qeveritë europiane po debatojnë mes prioriteteve tradicionale, si bujqësia dhe fondet për rajonet, dhe nevojave të reja që lidhen me mbrojtjen, konkurrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike.

Një nga kundërshtarët më të fortë të propozimit aktual është kancelari gjerman Friedrich Merz.

“Duhet të diskutojmë për madhësinë e këtij buxheti. Shifrat duhet të ulen dhe duhet të flasim për të ardhurat e Bashkimit Europian, sepse mund të shpenzojmë vetëm aq para sa kemi realisht”, tha Merz para nisjes së ditës së dytë të samitit.

Ai pranoi se qëndrimi i Gjermanisë nuk ka shumicën e vendeve pas vetes, por theksoi se vendimi përfundimtar duhet të merret me konsensus.

Edhe Suedia ka dalë hapur kundër propozimit të Komisionit Europian.

“Mesazhi im në këtë samit është i qartë: Na duhet një buxhet më i mirë, jo më i madh. Propozimi që është në tryezë është thjesht i papranueshëm për nga përmasat. Nuk është një pikënisje e besueshme dhe nevojiten shkurtime të konsiderueshme për të ecur përpara”, deklaroi kryeministri suedez Ulf Kristersson.

Sipas tij, për Stokholmin është më e rëndësishme përmbajtja e marrëveshjes sesa afati për ta mbyllur atë.

Mbështetje për qëndrimin gjerman dha edhe kancelari austriak Christian Stocker.

“Më shumë para nuk do të thotë automatikisht një Europë më e fortë”, tha ai para gazetarëve.

Debati për buxhetin pritet të jetë një nga më të vështirët për liderët europianë gjatë muajve të ardhshëm, pasi për miratimin e tij nevojitet dakordësia e të gjitha vendeve anëtare.

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, dhe disa liderë të tjerë shpresojnë që marrëveshja për buxhetin e ri të arrihet deri në fund të vitit.