Komisioni Evropian po përdor inteligjencën artificiale për të përshpejtuar punën me vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa procesi i zgjerimit po hyn në një fazë më intensive se vitet e fundit.
Sipas dy zyrtarëve të Komisionit Evropian, departamenti që merret me zgjerimin po përdor një mjet të inteligjencës artificiale për të analizuar legjislacionin e vendeve kandidate dhe për të kontrolluar nëse ai është në përputhje me ligjet dhe standardet e Bashkimit Evropian.
Zyrtarët thanë se bëhet fjalë për GPT@EC, një platformë e zhvilluar nga vetë Komisioni Evropian për përdorim të brendshëm nga stafi. Mjeti u prezantua në vitin 2024, në një kohë kur në institucionet evropiane kishte shqetësime për privatësinë dhe sigurinë e platformave amerikane të inteligjencës artificiale, si ChatGPT dhe Claude.
Sipas tyre, rritja e numrit të vendeve që kërkojnë të avancojnë drejt anëtarësimit ka shtuar ndjeshëm ngarkesën e punës në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore (DG ENEST), strukturë që merret me procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate.
Vetëm këtë javë janë regjistruar disa zhvillime të rëndësishme në procesin e zgjerimit. Ukraina dhe Moldavia hynë të hënën në fazën e parë të anëtarësimit në BE, një hap që konsiderohet një moment i rëndësishëm në rrugën e tyre drejt bllokut evropian. Ndërkohë, Mali i Zi mbylli edhe dy kapituj të tjerë negociatash, duke e çuar në 16 numrin e kapitujve të mbyllur nga 33 gjithsej.
Edhe Shqipëria po vazhdon të shënojë progres në procesin e anëtarësimit. Vendi ynë ka hapur të gjithë grupkapitujt dhe synon t'i mbyllë ato brenda vitit 2027. Nga ana tjetër, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Gjeorgjia kanë ecur më ngadalë ose proceset e tyre janë bllokuar.
Në të njëjtën kohë, Islanda do të zhvillojë një referendum në muajin gusht për të vendosur nëse do të rihapë procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas POLITICO-s, zhvillimet gjeopolitike kanë shtuar interesin e vendeve për t’iu bashkuar BE-së, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës dhe deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për aneksimin e Groenlandës.
“Në 16 apo 17 muajt e fundit kemi bërë më shumë se në 15 vitet e mëparshme”, tha komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se inteligjenca artificiale është zgjidhja e duhur për përballimin e ngarkesës në rritje. Dy zyrtarë nga vende të ndryshme kandidate i thanë POLITICO-s se mjeti duhet të përdoret kryesisht për përkthime dhe detyra të thjeshta administrative, jo për çështje më të ndërlikuara.
Njëri prej tyre pranoi se puna e Komisionit është rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe se stafi është nën presion, por paralajmëroi se mbështetja e tepërt te inteligjenca artificiale mund të çojë në gabime.
Sipas raportimit, GPT@EC përdoret edhe nga departamente të tjera të Komisionit Evropian. Ndërkohë, tre institucionet kryesore të Bashkimit Evropian kanë ndaluar përdorimin e videove dhe imazheve të krijuara nga inteligjenca artificiale në komunikimet e tyre zyrtare.
Komente






