Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi këtë të premte një vizitë pune në Shkodër, ku vuri theksin te aksesi i qytetarëve në drejtësi dhe standardet europiane të shërbimeve juridike, duke deklaruar se reforma tashmë duhet të ndihet konkretisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe jo vetëm në nivel institucionesh.
Vizita nisi në Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku Ministri mbajti një leksion të hapur me temë “Aksesi në Drejtësi dhe Integrimi Europian”, për studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë.
Në fjalën e tij, Gogu theksoi se faza e re e reformës në drejtësi lidhet jo vetëm me ndërtimin e institucioneve, por me mënyrën se si qytetarët e ndiejnë drejtësinë në jetën e përditshme.
“Integrimi europian nuk është vetëm hapje kapitujsh apo miratim ligjesh. Ai matet me mundësinë reale që qytetari të marrë ndihmë juridike, të dëgjohet nga sistemi dhe të ketë akses të barabartë në drejtësi”, u shpreh Ministri.
Duke folur para studentëve shkodranë, ai ndaloi edhe te tradita qytetare dhe juridike e Shkodrës, duke e cilësuar qytetin si një nga hapësirat ku debati për shtetin ligjor dhe Europën ka pasur gjithmonë rrënjë të forta.
Pas leksionit, Ministri vizitoi edhe Klinikën e Ligjit pranë universitetit, ndërsa më pas zhvilloi takime me strukturat rajonale të ndihmës juridike falas, përmbarimit dhe shërbimit të provës.
Në fokus të diskutimeve ishin cilësia e shërbimeve për qytetarët, sfidat e institucioneve lokale dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në kuadër të standardeve të Bashkimit Europian.
Gogu u takua gjithashtu me përfitues të shërbimeve juridike dhe aktorë lokalë në Shkodër, ndërsa vizita u mbyll me një bashkëbisedim me profesionistë të fushës së drejtësisë në qytet.
Komente










