Ministri grek anulon vizitën në
Tiranë pas deklaratës së Berishës

Ministri grek anulon vizitën në <br />Tiranë pas deklaratës së Berishës
GREQI - Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopoulos ka anuluar në momentet e fundit vizitën në Tiranë duke shprehur kundërshti për deklaratat e bëra nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë.

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme greke thuhet se "deklarata të tilla nuk kontribuojnë në krijimin e një klime miqësie, besimi dhe fqinjësie të mirë mes dy vendeve dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta në sektorët politik, ekonomik".

MEHILLI: DEKLARATA E BERISHES, NE KONTEKS HISTORIK

Ndërkohë që në lidhje më anulimin e vizitës së ministrit grek Avramopoulos ka reaguar zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli.
Mëhilli e pyetur mbi deklaratën e bërë nga Kryeministri Berisha dje në Vlorë, në të cilën u citua Preveza, thekson se deklarata e Kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë te jugut, veriut apo lindjes.

Gjatë vizitës së djeshme në Vlorë Kryeministri Berisha ka mbajtur një fjalim të shkurtë. Berisha ka uruar 100-vjetorin e pavarësisë për të gjitha trojet shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë.

PDIU: TE ZGJIDHET ÇESHTJA ÇAME
Në lidhje me anulimin e vizitës së ministrit të Jashtëm grek ka reaguar dhe Partia Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet duke kërkuar nga qeveria greke zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes çame. Në një deklaratë për mediat PDIU thekson se pavarësia e Shqipërisë u shpall nga Preveza në Mollë të Kuqe.

“Ministri i Jashtëm grek nuk duhet të trembet nga ndjenjat e pastra të patriotizmit shqiptar dhe aq më pak nga çështjet e drejta të kombit tonë, si çështja çame, të cilat janë nëpërkëmbur padrejtësisht nga shteti grek. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje qeverisë greke, t’i japë zgjidhje sa më shpejt çështjes çame, e cila është e vetmja çështje që pengon marrëdhëniet shqiptaro-greke. Për aq sa qeveria greke tenton të mbulojë diellin me shosh, marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk mund të gjejnë përmirësim. Shqipëria u shpall e pavarur nga Preveza në Mollë të Kuqe! Ministri i Jashtëm grek në vend të tentojë të shtrembërojë historinë, duke krijuar incidente false, duhet të kontribuojë që të gjendet rruga e përbashkët e zgjidhjes së çështjes çame”, thuhet në deklaratën për mediat të PDIU-së.

DEKLARATA E KRYEMINISTRIT DJE NE VLORE
“Gëzuar Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100 vjetorin”, u shpreh Berisha dje në Vlorë.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet