Ministri i Punëve të Jashtme Ferit Hoxha ka zhvilluar sot një konferencë me gazetarët me fokus në përparimin e Shqipërisë me negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet diplomatike me vendet fqinje e më tej si dhe për samitin 3 ditor të Diasporës që do të zhvillohet në Shqipëri.

Hoxha i cilësoi si tymnajë dhe pjesë të diskursit politik të vendit deklaratat se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është bllokuar. Hoxha tha se Shqipëria ka bërë një avancim historik dhe se raporti i IBAR i është dorëzuar Këshillit të Evropës nga Komisioni dhe se vendet anëtare janë në fazën e të shtruarit pyetje për përmbajtjen e këtij raporti. Ministri u shpreh se nuk është në asnjë vend e shkruar që raporti duhej të miratohej për 3 javë, por se ky proces mund të zgjasë deri në 2 muaj.

“KE, pasi ka marrë gjithçka që i kemi çuar ne, 92 hapa konkretë, mbi këtë raport është hartuar IBAR, të cilin Komisioni ia ka paraqitur Këshillit. Vende të ndryshme kanë pyetje të ndryshme. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që 27 vendet anëtare të marrin një raport dhe të mos kenë pyetje. Ky është ushtrim klasik. Pyetjet mund të merrnin 4-8 javë, por nuk e kemi ne në dorë. Në bazë të pyetjeve, është Komisioni që jep përgjigje. Ne nuk jemi atje. Nëse do ketë fusha ku nuk kemi qenë bindës, do futen në procesin vijues që do jenë piketat përmbyllëse. Malit të Zi i janë dashur 8 vite për të hapur gjithë kapitujt, 13 muaj iu deshën Shqipërisë,” tha ministri.

Ferit Hoxha kritikoi shërbimin e jashtëm në vend duke kërkuar rritje të profesionalitetit dhe integritet.

"Nuk na pret bota që ta pijmë kafen e mëngjesit dhe nuk ndalet bota në orën 16:00. Nuk mund të kënaqemi me gjëra sipërfaqësore. Situata sot kërkon vendimmarrje ndonjëherë të shpejtë dhe të mençur. Shërbimi i jashtëm duhet të jetë profesional. Sepse nëse sot shërbimi i jashtëm mbron veç interesin e Shqipërisë, nesër do të mbulojë interesa më të gjera. Trupa diplomatikë duhet të jetë me integritet, si një administratë europiane dhe efikase”, tha Hoxha.

Hoxha sqaroi dhe marrëdhëniet me vendet fqinj duke thënë se me Greqinë sot Shqipëria gëzon raportet më të mira se ndonjëherë më parë.

“Sot ndodhemi në marrëdhëniet më të mira me Greqinë. Nëse hapim kapitujt, kemi dakordësinë e 27 vendeve, edhe të Greqisë. Kjo reflekton cilësinë e marrëdhënieve me Greqinë. Për këto çështje, ne do të vazhdojmë. Çështjet më të vështira, si marrëveshja e detit, së pari me Greqinë, ne kemi rënë dakord. Do shkojmë në gjykata ndërkombëtare. Për këtë kemi rënë dakord në parim, nuk mund të them një datë. Janë një sërë çështjesh që marrin kohën e tyre”, theksoi ai.

Ministri komentoi dhe raportet me shtetin serb, duke thënë se Shqipëria nuk ka aleancë, por interesa. Këtu Ferit Hoxha theksoi se mbështetja e panegociueshme e Shqipërisë për Kosovën, nuk ndikon në marrëdhëniet diplomatike me vendet e tjera, përkundrazi, mund të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri ska aleancë as me Serbinë as me askënd, kemi interesa që mbrohen duke dialoguar dhe me ato që kemi qëndrime të kundërta. Në diplomaci negociojmë. Fakti që bashkëpunojmë në nivel rajonal që gjejmë mënyra për të avancuar, nuk shoh qe ka diçka për tu shqetësuar. Natyrisht që do të takohemi me serbët. ndoshta kjo mund të çojë edhe në sado pak ujë në normalizimin e marrëdhënieve ne Kosovën. Duhet të zgjidhet dhe kjo çështje e fundit që është Kosova e pavarur dhe sovrane”, tha Hoxha.

Hoxha tha se Samiti i Diasporës do të shërbejë për të forcuar më tej marrëdhëniet me fqinjët ndërsa tha se bisedimet do të përqendrohen në fushën e ekonomisë, kulturën e të tjera që janë shqetësim sot për diasporën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:32
Ministri Hoxha: S’kemi aleancë me Serbinë, por mbrojtje interesash! Duhet të zgjidhet çështja me Kosovën, do të ndihmojmë dhe ne

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se Shqipëria nuk ka aleancë me Serbinë, por vetëm interesa. Takimeve me përfaqësues të shtetit serb, Hoxha iu përgjigj se janë me natyrë diplomatike dhe se zhvillohen në mbrojtje të interesave. Ndër të tjera Hoxha tha se Shqipëria do të bëjë çfarë mundet sa i përket dhe zgjidhjes së problemit të fundit në rajon, të konfliktit Kosovë-Serbi.

“Kryeministri ska aleancë as me Serbinë as me askënd, kemi interesa që mbrohen duke dialoguar dhe me ato që kemi qëndrime të kundërta. Në diplomaci negociojmë. Fakti që bashkëpunojmë në nivel rajonal që gjejmë mënyra për të avancuar, nuk shoh qe ka diçka për tu shqetësuar. Natyrisht që do të takohemi me serbët. Nuk ka asnjë aleancë, ka vetëm interesa që na detyrojnë të jemi sa më të qartë e bashkëpunues. Marrëdhëniet me Serbinë ngjallin emocione e ska çudi, por asnjëherë nuk shoh të reflektuar gjëkundi, a ka mundësi që Shqipëria po përpiqet të ndërtojë marrëdhënie, ndoshta kjo mund të çojë edhe në sado pak ujë në normalizimin e marrëdhënieve ne Kosovën. Duhet të zgjidhet dhe kjo çështje e fundit që është Kosova e pavarur dhe sovrane”, tha Hoxha.

Ora 12:20
Marrëveshja e Detit me Greqinë/ Ministri Hoxha: Do të shkojmë në gjykata ndërkombëtare

 

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha thotë se Shqipëria dhe Greqia do shkojnë në gjykata ndërkombëtare, lidhur me një marrëveshje për detin, ndonëse nuk dha datë.

Në një konferencë për mediat, Hoxha deklaroi se sot, të dyja vendet gëzojnë marrëdhëniet më të mira.

“Gjykata ka vendosur dhe kjo nuk diskutohet. Pas asaj, është bërë një punë e jashtëzakonshme nga paraardhësit e mi. Sot ndodhemi në marrëdhëniet më të mira me Greqinë. Nëse hapim kapitujt, kemi dakordësinë e 27 vendeve, edhe të Greqisë. Kjo reflekton cilësinë e marrëdhënieve me Greqinë. Kam gjetur gatishmërinë për t’i çuar gjërat përpara. Demokracia nuk ka kufij, nuk ka limite. Për këto çështje, ne do të vazhdojmë. Çështjet më të vështira, si marrëveshja e detit, së pari me Greqinë, ne kemi rënë dakord. Do shkojmë në gjykata ndërkombëtare. Për këtë kemi rënë dakord në parim, nuk mund të them një datë. Janë një sërë çështjesh që marrin kohën e tyre”, theksoi ai.

Ora 12:04
Studentët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë hartimin e provimit në gjuhën shqipe, Hoxha: Të mos politizohet, e drejtë që ua garanton ligji

Në konferencën me gazetarët, Ministri Hoxha foli dhe për protestën e studentëve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimin e licencës ta zhvillojnë në gjuhën shqipe. Ferit Hoxha thotë se kjo është një e drejtë që ua garanton ligji vendas dhe se kjo çështje duhet të adresohet dhe të mos politizohet.

“Studentët kërkuan një të drejtë. I ndjekim me vijimësi. Përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është e drejtë që parashikohet nga legjislacioni, nuk duhet të kufizohet e as të vihet në diskutim. Është thelbësore që kjo çështje të adresohet në mënyrë institucionale dhe përmes dialogut. Kjo çështje të mos politizohet por të trajtohet me maturi dhe përgjegjësi”, tha Hoxha.