Ferit Hoxha zhvilloi një takim me studentin Mevlan Ademi, një nga udhëheqësit e manifestimeve në Maqedoninë e Veriut, ku u diskutuan çështjet e të drejtave gjuhësore.
Gjatë bisedës, Ademi paraqiti shqetësimet e studentëve shqiptarë, të cilët së fundmi kanë protestuar duke kërkuar që provimi i licencës pas përfundimit të fakultetit të Juridikut, të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Kjo kërkesë lidhet me respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës amtare dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
Hoxha theksoi rëndësinë e dëgjimit të zërit të rinisë dhe të angazhimit qytetar, duke nënvizuar se këto kërkesa duhet të përkthehen në politika konkrete që garantojnë barazi dhe standarde evropiane në një shoqëri multietnike.
Postimi i plotë i Ferit Hoxhës
Prita dhe zhvillova një bisedë me z. Mevlan Ademi, një nga studentët udhëheqës të manifestimeve paqësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, lidhur me të drejtat gjuhësore.
Dëgjova me vëmendje kërkesat e tyre për respektimin e plotë të të drejtave për përdorimin e gjuhës amtare, në kuadër të zbatimit të qartë, të paekuivok dhe konsekuent të Marrëveshjes së Ohrit, si themel i barazisë dhe i funksionimit efektiv të shtetit në një shoqëri multietnike.
Një nga veçoritë themelore në demokraci është të dëgjohet zëri i rinisë dhe angazhimi qytetar për t'i përkthyer ato në politika konkrete që garantojnë barazi dhe standarde evropiane. Mbështetja për këto vlera është thelbësore në funksionimin dhe forcimin e institucioneve demokratike, dhe për një të ardhme më të mirë, më të drejtë, të bazuar në ligj dhe gjithëpërfshirëse.
Komente










