Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të Dërguarën e Posaçme të Republikës Çeke për Ballkanin Perëndimor, Edita Hrdá.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha shprehet se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor ishte në fokus të diskutimeve.

Hoxha ka shkruar gjithashtu se Shqipëria dhe Çekia kanë rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për zgjerimin e BE-së, si një investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon.

Postimi i Ministrit Ferit Hoxha në rrjetin social ‘X’:

Shkëmbim i shkëlqyer mendimesh me Ambasadoren Edita Hrdá, mike dhe ish-kolege në OKB / Neë York dhe në Bruksel, aktualisht e Dërguara e Posaçme e Republikës Çeke për Balkanin Perëndimor.

Rikonfirmuam angazhimin tonë të përbashkët për zgjerimin e Bashkimit Europian si një investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon.

Shqipëria mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt anëtarësimit, me përparim të prekshëm dhe një ritëm të fortë reformash.

Vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Çeke për një proces zgjerimi të besueshëm dhe të bazuar në meritë, si dhe për mbajtjen e Balkanit Perëndimor në fokus të agjendës së Bashkimit Europian.