/ATSH/.- Me rastin e përfundimit të semestrit të parë të vitit shkollor 2014-2015, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arsim Bajrami, u uroi të gjithë nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, si dhe mësimdhënësve të Kosovës pushime të mbara.

Bajrami ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë semestër dhe u uron suksese në pjesën tjetër të vitit shkollor.
Ministri, duke iu drejtuar mësimdhënësve, është zotuar se dikasteri i tij "do të punojë me përkushtim që të krijojë kushte edhe më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie" dhe i ka porositur ata se janë "bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ministrisë në rrugën drejt ngritjes së cilësisë në arsimin parauniversitar".

"MASHT po punon që të krijojë mundësi të reja për përgatitjen tuaj të vazhdueshme, sepse Ju jeni baza e qëndrueshme e të gjitha niveleve të arsimit. Jeni të parët me të cilët takohet çdo fëmijë, për të vazhduar më pas jetën akademike", thekson Bajrami.

Në komunikatën nga MASHT thuhet se ministri ka shprehur bindjen se së bashku me nxënësit do të arrihen suksese edhe më të mëdha gjatë gjysmëvjetorit të dytë, e po ashtu gjatë viteve të ardhshme të shkollimit të tyre parauniversitar, por edhe në arsimin e lartë.

"Prandaj, ju lutem që të jeni të përkushtuar për arritjen e rezultateve sa më të mira. Sa më të suksesshëm që të jeni Ju, aq më e sigurt do të jetë e ardhmja e Kosovës!", i porositi nxënësit ministri Bajrami./Kosovapress/