Ministri i Brendshëm në takimin e Procesit të Berlinit: Të shkëmbejmë në kohë reale të dhënat mbi flukset migratore në BP

Ministri i Brendshëm në takimin e Procesit të Berlinit: Të shkëmbejmë në kohë reale të dhënat mbi flukset migratore në BP

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, mori pjesë në takimin e Ministrave të Brendshëm të Procesit të Berlinit, bashkë me homologët nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e BE-së të përfshira në këtë platformë.

Në këtë takim, që u zhvillua në Berlin, aty ku ky proces nisi 10 vite më parë nga Kancelarja Merkel, u diskutua mbi migracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar.

Ministri Hoxha falënderoi Gjermaninë për angazhimin dhe përkushtimin që ka në këtë iniciativë të rëndësishme dhe rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin rajonal në kuadër të këtij Procesi.

Ministri i Brendshëm informoi se janë ndërmarrë një sërë iniciativash, që kanë rritur jo vetëm koordinimin me vendet e rajonit dhe të BE-së, por edhe angazhime të përkthyera në objektiva kombëtare bazuar në sfidat aktuale të sigurisë. Hoxha deklaroi se, për Shqipërinë mbetet shumë i rëndësishëm forcimi i mekanizmit kombëtar të riintegrimit. 

Ai propozoi krijimin e një kuadri të përbashkët për shkëmbimin në kohë reale të të dhënave dhe analizave mbi flukset migratore përgjatë rrugës së Ballkanit drejt BE-së.

Referuar bashkëpunimit operacional kundër krimit të organizuar, Hoxha tha se janë ndërmarrë 77 operacione në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, gjysma e të cilave në fushën e narkotikëve dhe trafikimit.

Gjatë këtij forumi, ministri Hoxha pati takime të veçanta me Zv.drejtorin e Përgjithshëm të DG Home, Oliver Onidi, si dhe me ministren e Shtetit për Sigurinë Kufitare dhe Azilin në Mbretërinë e Bashkuar, Angela Eagle.

Komisioneri Onidi vlerësoi progresin e Shqipërisë, që sipas tij, ka treguar përkushtim në avancimin e zbatimit të Planit të Veprimit BE-Shqipëri kundër migracionit të parregullt dhe luftën kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor. Ai nënvizoi rolin e Shqipërisë si një ndër partnerët më të vyer në luftën kundër dukurive të paligjshme, si dhe për hapat kyç që ka ndërmarrë për sigurinë e kufijve të saj, e respektivisht, edhe sigurinë e vendeve të BE-së.

Për procesin e integrimit ai shtoi faktin se, procesi screening është i përmbyllur dhe se tashmë ka ardhur koha për të kaluar tek negociatat.

Ndërsa në takimin me ministren britanike, ministri Hoxha falënderoi për mbështetjen dhe veçoi rezultatet e arritura, falë bashkëpunimit mes dy vendeve ku po funksionon Task Forca e përbashkët, në uljen drastike të numrit të migrantëve drejt Anglisë.

Dy ministrat diskutuan gjithashtu për organizimin e një dialogu të përbashkët, mbi luftën kundër krimit të organizuar, si një hap për të thelluar bashkëpunimin.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë/ Drejtori i Policisë: Kevin Hajrulla ndodhej në makinë kur u qëllua (VIDEO)

Atentati në Vlorë/ Drejtori i Policisë: Kevin Hajrulla ndodhej në makinë kur u qëllua (VIDEO)