TIRANË- Në fillim të këtij muaj Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi, pranoi se me ndryshimin e skemës së rimbursimit të TVSH-së u dëmtuan shumë prodhuesit e grumbulluesit e qumështit dhe u shpreh i gatshëm për ta ndryshuar përsëri atë. Edhe pse ende nuk ka marrë formë zyrtare fermerët e mirëpresin ndryshimin e skemës, pasi sipas tyre po hap shtigje për abuzime.

“Rishikimi i TVSH-së ka qenë një kërkesë dhe konflikt i hershëm mes fermerëve dhe qeverisë. Ky erdhi si rezultat i një mosbashkëpunimi midis shoqatave të biznesit dhe atyre që e ndryshuan këtë politikë. Kjo politikë nuk mund të funksionojë e kemi thënë që në fillim dhe nuk ka asnjë lloj eficense, përkundrazi po hap rrugë dhe shtigje të informalitetit edhe tek bizneset e mëdha dhe është domosdoshmëri ndryshimi i saj sa më parë të jetë e mundur”, pohon Rrapaj.

Po ashtu sipas kreut të agrobiznesit Agim Rrapaj një skemë e re do të dyfishonte numrin e fermerëve.

“Tentativat dhe për përpjekjet që bëhen për ta ndryshuar janë mjaft të mirëpritura nga ana jonë dhe ne shpresojmë kjo do të bëjë të mundur që fermerët të lidhen më mirë me qendrat e grumbullimit. Kemi 237 qendra grumbullimi që bashkëpunojnë sot me 42 mijë fermerë dhe është e rëndësishme që ky numër të rritet akoma më shumë dhe mundësitë janë për tu dyfishuar”, përgjigjet kreu i agrobiznesit.

TVSH-ja e rimbursueshme u ul nga 20% në 6% në vitin 2019, duke bërë që grumbulluesit të subvencionoheshin për çdo litër 14 lekë më pak. Një ndryshim i tillë bëri që pikat e grumbullimit të ulnin çmimin me të cilën i blinin qumështin fermerit, madje preferuan ti drejtoheshin tregut të huaj dhe për pasojë fermerët e derdhnin qumështin e tyre në shenjë proteste.