SARANDË- Katër zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë arrestuar nga policia e Sarandës pasi kanë pajisur me certifikatë pronësie disa persona për tokat në bregdet. Zyrtarët legalizuan dy objekte pa leje në Sarandë për të cilat Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte kërkuar shembjen.

Në pranga ka rënë ish-drejtori i Kadastrës Sarandë, Andri Dhima, ndërsa është shpallur në kërkim ish-drejtoresha Kozeta Statha. Gjithashtu janë arrestuar zyrtarët Vasil Lango, përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, si edhe hartografët Saimir Braho e Erliton Ymeri.

Kozeta Stafa ka qenë drejtoreshë e Kadastrës Sarandë në 2020, por më pas në vitin 2021 është transferuar në Kadastrën Tiranë dhe është emëruar Andri Dhima, por as ai nuk e mban më atë post. Stafa ka qenë edhe drejtuese e portit të Sarandës, detyrë që e ka mbajtur për një periudhë 3-vjeçare.

Në kudër të operacionit "Heshtja 2" u arrestuan 3 zyrtarët, ish-drejtori i Kadastrës dhe u shpall në kërkim ish-drejtoresha e Kadastrës, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdorur detyrën duke dhënë certifikata pronësie dhe legalizuar objekte pa leje.

Hetimi i këtij rasti ka nisur që prej vitit 2021, por edhe në bazë të kallëzimit nga Drejtoria e Antikorrupsionit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ka qenë vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i cili më 16 mars pati denoncuar se në Sarandë në zonën Turizëm-kanali i Cukës ishin legalizuar pa leje dy objekte 70 dhe 81 metra katrorë në një kohë që IKMT kishte kërkuar shembjen e tyre.