Ministri gjerman i Shtetit për Europën, Gunther Krichbaum zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me zyrtarë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, kreun e SPAK dhe përfaqësues të opozitës.

Në fokus të bisedimeve ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës. Gjithashu, u fol edhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përmes një njoftimi, amabsada gjermane tha se ministri Krichbaum, në mbyllje të takimeve, ka deklaruar se Gjermania kërkon ta shohë Shqipërinë në BE dhe se vendi duhet të vijojë me reformat, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

"Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum zhvilloi biseda politike sot në Tiranë. Ai u takua me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zv.Ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi si dhe me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK Klodian Braho. Në fokus të bisedave të tij ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mbyllje të bisedave Ministri i Shtetit Krichbaum u shpreh:

„Për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së. Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë.

Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për këtë qëllim lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese.", thuhet në njoftimin e ambasadës.

Nga opozita, Ministri Krichbaum u takua me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi si dhe kryetaren e Këshillit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:37
Bardhi takon ministrin gjerman për Europën: Pa zgjedhje të lira dhe luftë ndaj korrupsionit, s’ka integrim europian

1769179209_aa.JPG

Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka zhvilluar një takim me ministrinn gjerman të Shtetit për Europën, Gunther Krischbaum. 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se në fokus të këtij takimi ka qenë integrimi i Shqipërisë në BE.

‘Kënaqësi takimi me Ministrin per Europën në Ministrinë e Jashtme Gjermane z. Gunther Krischbaum.  Integrimi Europian i Shqipërisë duhet të jetë një proces që synon implementimin e standardeve europiane në vend, dhe jo të përdoret si justifikim për të mbuluar keqqeverisjen. Opozita mbështet plotësisht procesin e integrimit të bazuar në standarde dhe në meritë. 

Në këtë proces, theksova se mbetet jetike për Shqipërinë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverisja e mirë në dobi të qytetarëve, lufta ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisjes me krimin e organizuar, lejimi i organeve të drejtësisë të bëjnë me integritet dhe pavarësi punën e tyre në përputhje me parimet e shtetit ligjor, si dhe funksionimi demokratik i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit të Shqipërisë', shkruan Bardhi.

Ora 14:29
Takimi me ministrin gjerman Gunther Krichbaum, Jorida Tabaku: Qeveria 'vite dritë' larg integrimit real në BE

1769175216_joridatabaku.jpeg

Kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian në Kuvend dhe deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku u takua të premten me Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë, që ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Takimi pati në fokus zhvillimet më të fundit politike në vend dhe veçanërisht procesin e integrimit europian dhe sfidat që po e pengojnë atë.

Deputetja demokrate shprehu shqetësim për presionin në rritje që sipas saj qeveria po ushtron ndaj sistemit të drejtësisë dhe amendamentet e Kodit të ri Penal që po shqyrtohet në Kuvend.

Ndër të tjera ajo kritikoi qeverinë për mungesën e vullnetit të treguar në lidhje me zbatimin e rregullores së BE-së për kontrollin e investimeve, që sipas saj, përbëjnë rreziqe për sigurinë, transparencën dhe konkurencën e ndershme.

Gjatë takimit, Tabaku pretendoi se qeveria po e përdor integrimin më shumë si fasadë dhe retorikë politike sesa si proces reformash. Sipas saj, me ritmet e treguara, qeveria mbetet “vite dritë” larg integrimit real.

Tabaku gjithashtu vuri theksin tek angazhimi i Partisë Demokratike në procesin e integrimit europian, që sipas saj, është jetik për të ardhmen dhe për ndërtimin e institucioneve funksionale, demokratike dhe të besueshme.

Ora 13:50
Ministri gjerman Gunther Krichbaum vjen në Tiranë, Balla: Gjermania mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE

1769172741_taulantballa.jpg

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është takuar sot me Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë dhe një nga politikanët më të rëndësishëm të CDU-së gjermane, i cili ka ardhur në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në përfundim të takimit, Balla vlerësoi bashkëpunimin historik të dy vendeve dhe falenderoi Gjermaninë për mbështetjen e fuqishme të anëtarësimit të vendit në BE

“Gjithmonë një kënaqësi të takohem me Gunther Krichbaum, i cili në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri vjen si Ministër i Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë. Shumë mirënjohës zotit Krichbaum për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme qoftë në Bundestag, qoftë tani si anëtar i Qeverisë gjermane. Gjermania rënditet e para me mbështetjen e drejtpërdrejtë akorduar Shqipërisë. Sot Shqipëria dhe Gjermania kanë nivelin më të lartë historik të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe në kuadër të organizatave ku dy vendet tona aderojnë. Gjermania mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE” shkroi Balla në Facebook.