Kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian në Kuvend dhe deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku u takua të premten me Gunther Krichbaum, Ministër i Shtetit për Europën në Qeverinë Federale të Gjermanisë, që ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Takimi pati në fokus zhvillimet më të fundit politike në vend dhe veçanërisht procesin e integrimit europian dhe sfidat që po e pengojnë atë.

Deputetja demokrate shprehu shqetësim për presionin në rritje që sipas saj qeveria po ushtron ndaj sistemit të drejtësisë dhe amendamentet e Kodit të ri Penal që po shqyrtohet në Kuvend.

Ndër të tjera ajo kritikoi qeverinë për mungesën e vullnetit të treguar në lidhje me zbatimin e rregullores së BE-së për kontrollin e investimeve, që sipas saj, përbëjnë rreziqe për sigurinë, transparencën dhe konkurencën e ndershme.

Gjatë takimit, Tabaku pretendoi se qeveria po e përdor integrimin më shumë si fasadë dhe retorikë politike sesa si proces reformash. Sipas saj, me ritmet e treguara, qeveria mbetet “vite dritë” larg integrimit real.

Tabaku gjithashtu vuri theksin tek angazhimi i Partisë Demokratike në procesin e integrimit europian, që sipas saj, është jetik për të ardhmen dhe për ndërtimin e institucioneve funksionale, demokratike dhe të besueshme.


Lajmi kryesor:

Ministri gjerman për Europën takim me Ramën, kreun e SPAK dhe përfaqësues të opozitës: Të çohet përpara lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar