Ministri i Jashtëm i Iranit tha se Teherani dhe Uashingtoni besojnë se bisedimet pë rprogramin bërthamor duhet të rifillojnë së shpejti pas negociatave indirekte në Oman.

Abbas Araghchi deklaroi se të dyja palët ranë dakord që diskutimet duhet të rifillojnë së shpejti, duke shtuar se nuk ka një afat të rënë dakord për takimin e radhës.

Por sipas tij, çështjet që lidhen me programin raketor të Iranit dhe pasurimin e uraniumit janë të papranueshme për negociatat e ardhshme.

“As tani e as në të ardhmen nuk mund të mbahen negociata për raketat, sepse kjo është një çështje mbrojtëse.Çështja e ndalimit të pasurimit nuk është e negociueshme nga këndvështrimi i Iranit”., theksoi ministri.

Araghchi shtoi se Irani do t’i përgjigjej çdo sulmi të mundshëm amerikan.

 “Nëse Irani sulmohet, ne do të shënjestrojmë bazat amerikane në rajon”, deklaroi ai.

Më 6 shkurt, delegacione nga Teherani dhe Uashingtoni zhvilluan bisedime të ndërmjetësuara nga Omani. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se diskutimet ishin shumë të mira

“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje. Duhet të shohim se çfarë marrëveshjeje është ajo,” tha presidenti në bordin e Air Force One.

Bisedimet u zhvilluan ndërsa ushtria amerikane po forcon praninë e saj në Lindjen e Mesme, si reagim ndaj shtypjes së dhunshme nga Irani të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se nga këto përplasje janë vrarë mijëra persona.

Në javët e fundit, presidenti Trump ka kërcënuar se do ta bombardojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje. SHBA-ja ka dërguar mijëra trupa dhe atë që Trump e ka quajtur një “armadë” në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë luftarakë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:48
Pas bisedimeve me delegacionin iranian në Oman, Witkoff dhe Kushner vizitojnë aeroplanmbajtësen 'Abraham Lincoln'

1770486593_Capture.JPG

Aeroplanmbajtësja 'Abraham Linclon' në Detin Arabik

I dërguari i Presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe dhëndri Jared Kushner, vizituan aeroplanmbajtësen 'Abraham Lincoln' mëngjesin e së shtunës, pasi përfunduan bisedimet me delegacionin iranian të premten në Oman.

Kushner dhe Witkoff u ftuan të vizitonin aeroplanmbajtësen, e cila është pjesë e Grupit të Sulmit të Anijeve të Transportit Lincoln, nga komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, Admirali Brad Cooper.

Vizita vjen në kohë ku SHBA-të dhe Irani janë riangazhuar në negociata dhe administrata Trump ende mban një forcim të konsiderueshëm ushtarak në Lindjen e Mesme.

Kjo prani është përshpejtuar në javët e fundit, ndërsa Trump shqyrtoi opsionet për të goditur Iranin, por nuk kishte asnjë tregues se është marrë ndonjë vendim për të ecur përpara me opsionet e shqyrtuara.

Presidenti amerikan, Donald Trump u tha gazetarëve të premten se Witkoff dhe Kushner zhvilluan bisedime shumë të mira, por shtoi se një flotë e madhe ishte ende duke u drejtuar drejt Iranit dhe do të mbërrinte së shpejti.