Dua Lipa nuk mund të ishte më krenare për motrën e saj, Rina Lipa.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, u shpreh e emocionuar teksa motra e saj më e vogël arriti një moment të rëndësishëm në karrierë. Filmi i parë i shkurtër i Rina Lipa, Weight of Ribbons, u publikua në fillim të kësaj jave. Rina është autore e skenarit dhe njëkohësisht luan rolin kryesor, duke shënuar projektin e saj të parë si skenariste.
Në rrjetet sociale, Dua ndau një foto të Rinës pranë posterit të filmit, duke shkruar: “Shkruar dhe luajtur nga Rina Lipa, nuk po qaj!!!”
Filmi, me regji të Louis Melvyn, ndjek historinë intime të një vajze që përpiqet të balancojë baletin me jetën e përditshme, por gradualisht humbet pasionin për të. Ai trajton tema si identiteti, rritja, izolimi dhe përplasja mes ëndrrave të fëmijërisë dhe realitetit të së tashmes, dhe bazohet në përvojën personale të Rinës me baletin.
Pas premierës së mbajtur në Everyman Cinema në London, Dua shkroi sërish: “Shumë krenare për motrën time. Shfaqja e filmit të saj të shkurtër Weight of Ribbons një natë më parë. Tani është online dhe mund ta shihni edhe ju.”

Komente










