Fjala e Ministrit i Shëndetësisë, Ilir Beqaj për 100 ditët e para të qeverisjes

Të nderuar pjesëmarrës,
 Të respektuar të ftuar,
 Jam i privilegjuar që është zgjedhur të fillojë me shëndetësinë raportimi përpara publikut shqiptar i Qeverisë së koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për atë çka është bërë këto 100 ditë të para të qeverisjes.
 Mbetem besimplotë për përmirësimin rrënjësor që do të realizojmë me shërbimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri.
 Në këto 100 ditë ne ia dolëm të:

 1. Hartojmë dhe dorëzojmë për miratim ndryshimet në ligjin për sigurimet shëndetësore, të cilat:
 • krijojnë bazën ligjore për fillimin në vitin 2014 të zbatimit të programit të kontrollit bazë shëndetësor të përvitshëm pa pagesë për personat në grupmoshën 40-60 vjeç;
• ulin me 1/3 pagesën e kontributeve të detyrueshme shëndetësore për të vetëpunësuarit në qytet duke bërë që rreth 73 mijë të vetpunësuar të paguajnë 7,800 lekë më pak në vit;
• eliminojnë regresivitetin në pagesën e kontributeve të detyrueshme për të punësuarit;
• po shfrytëzoj këtë mundësi që të garantoj të gjithë fermerët se nuk do të ketë rritje të pagesës së kontributeve shëndetësore për ta.
 2. U përfshi në paketën fiskale 2014 heqja e taksës mbi shëndetin, TVSH-së për barnat dhe materialet mjekësore;
 3. Brenda mundësive tona shumë të kufizuara financiare dhe kornizës rregulluese të prokurimit, kemi përmirësuar furnizimin e QSUT (Qendra Kombëtare Universitare Spitalore) me citostatikë dhe ilaçe të tjera me vlerë $ 900K, si dhe kemi furnizuar me barna Spitalin Universitar të Traumës me vlerë $ 150K;
 4. Janë bërë ZERO tarifat për ekzaminimet për personat e pasiguruar për kontrollet e sëmundjeve tumorale dhe grave shtatzanë. (Urdhri i MSH Nr. 528, dt. 1/10/2013).
 5. Kemi riparuar dhe rivënë në punë pajisjet biomjekësore në QSUT (disa skaner, rezonancë manjetike dhe aparat kobalti), skaner në Spitalin Universitar të Traumës, skaner dhe rezonancë manjetike në Spitalin Rajonal të Durrësit si dhe skaner në Spitalin Rajonal të Korçës.
 6. Është miratuar, në parim, një marrëveshje krediti për eksportim me UniCredit Bank Austria AG për financimin e një projekti kombëtar për radioterapinë (VKM nr. 963, dt. 25.10.2013).
 7. Kemi furnizuar Laboratorin e QSUT me materiale mjekësore për ekzaminim me shënues të sëmundjeve tumorale, të nevojshme për grupin e ekzaminimeve për një periudhë 12-mujore.
Mbetem besimplotë për përmirësimin rrënjësor që do të realizojmë me shërbimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri. Do të ofrojmë për këdo mbulim universal.
 Faleminderit!