Ministri i Brendshëm, italian Marco Minniti deklaroi gjatë prezantimit të raportit të Guardia di Finanza për kultivimin e kanabisit se duhet të goditen të paprekshmit. Duke e cilësuar histori suksesi bashkëpunimin mes dy vendeve, në operacionin kundër kultivimit të kanabisit, ministri i Brendshëm italian u shpreh qartë se sfidë mbetet të luftohen krerët e trafikut të drogës. 

Ka rritje të rezultateve, por në momentin kur theksojmë që kemi të bëjmë me një operacion suksesi, më lejoni të nënvizoj dy gjëra të rëndësishme. E para, operacionet e suksesshme duken në kohë. Ne kemi arritur një rezultat të jashtëzakonshëm këtë vit, duhet ta ruajmë edhe për vitet e ardhshme. Kemi diskutuar për këtë me mikun tim, me kolegun tim, kemi trajtuar temën e luftës ndaj kanabisit, ky është një objektiv strategjik i qeverisë italiane dhe do keni mbështetjen e plotë të qeverisë italiane dhe ministrisë së brendshme italiane. Ne duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha që drejtojnë trafikun, duhet të godasim të paprekshmit. Sepse në Europë, në Shqipëri, në Itali, nuk ka të paprekshëm. Mendoj se ky është një objektiv i rëndësishëm për realizimin e të cilit duhet të punojmë sëbashku", u shpreh ministri italian.  

Ai theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do vijojë për të luftuar trafiqet e paligjshme. "Kemi ngritur bashkëpunim nga pikëpamja gjyqësore, operative, shkencore dhe ka dhënë rezultate të rëndësishme. Në këtë projekt dhe në këto objektiva është angazhuar i gjithë sistemi në Itali, të gjitha strukturat që kanë bashkëpunuar dhe këto të dhëna na tregojnë se këto dy vende kanë bashkëpunuar së bashku. Ky raport, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë përfshin një marrëdhënie më të gjerë mes Shqipërisë, Italisë dhe vendeve të tjera. Këtu, në Shqipëri, në Tiranë, këtu në Ballkan, luhet një lojë shumë e rëndësishme e cila ka përpara 3 sfida të mëdha, ajo kundër narkotrafikut, ajo kundër emigracionit të paligjshëm dhe e treta kundër terrorizmit. Në lidhje me këto tre probleme, kemi nevojë për një bashkëpunim ndërkombëtar të plotë dhe të vetëdijshëm. Nëpërmjet këtij projekti përbëjmë një hap të rëndësishëm përpara"”- tha Marco Minniti.