Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ministrin e Jashtëm të Zvicrës, Ignazio Cassis.
Në një postim në Facebook, ministri Cakaj shkruan se gjatë takimit është vlerësuar ndërveprimi dypalësh me theks të veçantë punën e mirë për zbatimin e strategjisë së bashkëpunimit 2018-2021, si një strategji që i jep përparësi punës së përbashkët, sa i përket qeverisjes demokratike, zhvillimit ekonomik, infrastrukturës dhe shëndetësisë.
Cakaj thotë se është vënë theksi në takim mbi rëndësinë e mbylljes së marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe ngritjen e komisionit të përbashkët ekonomik.
"Shqipëria dhe Zvicra gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyer në rrafshin e diplomacisë shumëpalëshe, veçanërisht në OSBE. Vlen të theksohet se me Zvicrën tashmë kemi këmbyer edhe mbështetjet për kandidaturat tona si anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Me Ministrin Cassis u pajtuam për të thelluar bashkëpunimin teknik dhe institucional edhe në këtë drejtim.
Përndryshe, të dy shprehëm gëzimin e pamasë që në pesëdhjetë vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, bashkëpunimi mes nesh është jo vetëm jashtëzakonisht i mirë, por edhe gjithnjë në rritje e sipër", ka deklaruar ndër të tjera ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.