Gent Cakaj merr pjesë në sesionin e 55-të të “Konferencës së Sigurisë së Mynihut”

Gent Cakaj merr pjesë në sesionin e 55-të të “Konferencës së Sigurisë së Mynihut”

Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në punimet e sesionit të rradhës së Konferencës së Sigurisë së Mynihut, e cila prej disa vitesh përbën një arenë të rëndësishme dhe të pavarur të liderëve globale, për të zhvilluar diskutime informale, për sfidat më aktuale të sigurisë.

Edicioni i 55-të i kësaj Konference, ishte një nga më të rëndësishmit e 10 vjeçarit të fundit, me pjesëmarrjen më të madhe të personaliteteve të larta në rang global, por edhe sepse 2019 do të jetë viti i provës për zhvillimet ndërkombëtare në fushën e sigurisë. 

Tematika qendrore e sesionit të sivjetshëm të Konferencës, ishte ruajtja e rendit aktual ndërkombëtar, situata në marrëdhëniet trans-atlantike, Ballkani Perëndimor dhe perspektivat e tij integruese, si dhe vatrat aktuale të krizave në botë (Siria, Jemeni, Saheli, Venezuela). 

Në margjinat e këtij aktiviteti Ministri në detyrë Cakaj zhvilloi dhe një sërë takimesh dypalëshe me disa Ministra të Jashtëm evropianë, përfaqësues të BE-së, OSBE-së, NATO-s, si dhe personalitete të larta, të pranishëm në këtë konfrencë.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Zëvendës Asistenten e Presidentit Trump dhe Drejtore e Lartë për Evropën dhe Rusinë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, Fiona Hill.

Bashkëpunimi në kuadër të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëveprimi për sfidat e sigurisë globale, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian, ishin ndër çështjet e trajtuara në takim.

Cakaj shprehu vlerësimin për mbështetjen e çmuar të SHBA-ve për proceset demokratizuese dhe kryerjen e reformave në vend, si dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve. Ai siguroi mbi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA-ve për stabilitetin, paqen e prosperitetin në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të sigurisë globale.

Hill vlerësoi kontributin e Shqipërisë për renditjen e saj përkrah SHBA-ve në adresimin e sfidave globale të sigurisë, si dhe shprehu mbështetjen e SHBA-ve për reformat në Shqipëri dhe rrugën e integrimit të Evropian.

Në takimin që Ministri Cakaj zhvilloi me Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller, u diskuta mbi pikëpamjet politike dhe këndvështrimet respektive mbi çështjet me ndjeshmëri gjeopolitike në rajon dhe mbi suazën e sigurisë euroatlantike, pak muaj para takimit të radhës të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s, që do të mbahet me 3-4 prill 2019, në Washington.

Ministri Cakaj vlerësoi veçanërisht rolin dhe peshën e Aleancës, si garantuese e paqes dhe sigurisë ne rajon. Po ashtu, ai vlerësoi rolin e KFOR-it në Kosovë, si një spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë.

Nga ana e saj,  Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Gotemoeller vlerësoi rolin dhe kontributet e qenësishme të Shqipërisë si vend aleat, si në konteksin e rajonit, ashtu edhe në suazën e sigurisë transatlantike. 

Lidhur me rajonin, ajo ripërmendi qëndrimin e njohur të NATO-s mbi zhvillimet e kohëve të fundit në rajon, si ecuria e përshpejtuar e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe mbështetja për dialogun Kosovë-Serbi, si e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe qëndrueshmëri në rajon.

Ministri Cakaj zhvilloi një takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger. Sekretari i Përgjithshëm pasi e uroi Ministrin në Detyrë, shprehu vlerësimin e tij për angazhimin e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në një kohë të vështirë e plot sfida për sigurinë dhe stabilitetin në hapësirën e OSBE-së dhe më gjerë. 

Në vijim, Sekretari i Përgjithshëm e siguroi Ministrin në Detyrë për vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë dhe mbështetjen e plotë të sekretariatit ndaj Kryesisë shqiptare, në funksion të përmbushjes me sukses të këtij angazhimi.

Nga ana e tij, Ministri në Detyrë, Cakaj, vlerësoi mbështetjen e plotë të Sekretarit të Përgjithshëm në procesin e miratimit konsensual të kandidaturës së Shqipërisë për kryesimin e OSBE-së në 2020.

Shqipëria, tha ai, është totalisht e angazhuar për të ofruar kontributin e saj në përpjekjet e përbashkëta të të gjithë vendeve pjesëmarrëse, për vendosjen e një dialogu konstruktiv dhe krijimin e besimit në adresimin e sfidave të tanishme dhe të ardhshme në hapësirën e OSBE-së.

Në vijim, të dy bashkëfolësit shkëmbyen mendime mbi forcimin e rolit dhe kapaciteteve të OSBE-së, për adresimin e përbashkët të krizave, me synim shfrytëzimin e plotë të potencialit të Organizatës në përballimin e tyre. 

Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua edhe mbi angazhimin e Shqipërisë si anëtare e Trojkës dhe Kryesuese aktuale e Grupit të Kontaktit të Mesdheut. 

Ministri Cakaj pati një takim edhe me Ministren e Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, të cilën e falënderoi për kontributin e saj dhe të Bullgarisë gjatë presidencës së BE-së dhe në vijim për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. 

Bashkëbiseduesit theksuan nevojën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, si dhe në fushën e turizmit e kulturës. Ministri Cakaj vlerësoi rritjen e pranisë së biznesit bullgar në Shqipëri dhe siguroi për gadishmërinë e tij për ta çuar më tej këtë bashkëpunim në fusha me interes të ndërsjellë.

Ministrja Zaharieva e siguroi Ministrin Cakaj për vendosmërinë e Bullgarisë për të mbështetur me të gjitha mundësitë ecurinë e procesit të integrimit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Fusha e mbetjeve përfshihet përsëri nga flakët, zjarrfikësit drejt vendngjarjes!

Vlorë/ Fusha e mbetjeve përfshihet përsëri nga flakët, zjarrfikësit drejt vendngjarjes!