Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi u takua sot me Komandantin e ri të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneralmajor Roberto Vergori, me të cilin diskutoi mbi rolin e këtij misioni në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe kontributin e tij në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Gjatë takimit, Nufi nënvizoi rëndësinë e veçantë që KFOR-i ka për Shqipërinë.

“Kontributi ynë i vazhdueshëm dhe i palëkundur në këtë mision dëshmon rëndësinë e veçantë që i kushtojmë mandatit dhe rolit të tij në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin", është shprehur Nufi. 

Duke e uruar Gjeneralmajorin në përmbushjen e mandatit të tij, ministri shtoi:

“Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si anëtare e përkushtuar e NATO-s, duke vijuar të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për një rajon më të sigurt, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt bashkëpunimit", tha Nufi.