/ATSH-B.Jashari/.-Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, do të pritet sot në një takim në Prishtinë nga ministri kosovar i Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.

Pas takimit, të dy ministrat do të zhvillojnë një konferencë për shtyp, bën të ditur Ministria kosovare.

Javën e kaluar, në takimin mes ministrit kosovar të Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, Krasniqi dhe ambasadorit shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, u theksua se Kosova dhe Shqipëria do të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, duke e parë atë si një nga potencialet kryesore për zhvillimin e dy vendeve dhe u paralajmërua takimi bilateral ndërmjet ministrit kosovar dhe homologut të tij nga Republika e Shqipërisë.