Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, nënshkroi sot në Korçë Marrëveshjen e Bashkëpunimit në kuadër të Projektit TOKA, së bashku me bashkitë Devoll, Ersekë, Maliq, Pogradec dhe Korçë, si edhe me Universiteti i Korçës.

Marrëveshja hap rrugën për zbatimin e një modeli të ri bashkëpunimi për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale, duke përfshirë institucionet vendore, botën akademike dhe fermerët. Projekti TOKA financohet nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, në partneritet me Universitetin Hollandez të Kërkimeve Wageningen, dhe do të pilotohet në Rajonin e Korçës mbi bazën e Modelit të Diamantit Holandez.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ministri Salla theksoi se projekti përfaqëson një qasje të re në zhvillimin bujqësor. “Projekti TOKA krijon një model bashkëpunimi që lidh institucionet, dijen shkencore, inovacionin dhe fermerët, për të ndërtuar një bujqësi moderne dhe konkurruese,” u shpreh ai.

Sipas Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, projekti synon hartimin e një rruge zhvillimi për eko-bujqësinë, ndërtimin e Sistemit të Njohurive dhe Informacionit në Bujqësi, forcimin e sigurisë ushqimore, si dhe rritjen e kapaciteteve në arsim dhe kërkim shkencor. “Ky bashkëpunim është një hap konkret drejt një sektori bujqësor të qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian,” theksoi Salla.

Në aktivitet ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit dhe njëherazi drejtuesi politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi, kryetarët e bashkive pjesëmarrëse Sotiraq Filo, Eduard Duro, Gëzim Topçiu, Erion Isai dhe Ilir Xhakolli, rektori i Universitetit të Korçës, si dhe përfaqësues të AADF.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:56
Ministri Salla i përgjigjet kërkesë së fermerëve të Maliqit për takim: Çdo fermer me NIPT do të dëmshpërblehet pas evidentimit të plotë të dëmeve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një takim me fermerët e Bashkisë Maliq, në përgjigje të kërkesës së tyre për bashkëbisedim lidhur me dëmet e shkaktuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Gjatë takimit, Ministri Salla theksoi se procesi i evidentimit të dëmeve vijon në terren, në bashkëpunim me bashkitë, bordet e kullimit dhe Emergjencat Civile.

“Sapo të kemi pasqyrën e plotë të dëmeve dhe informacionin nga bashkitë për zonat përkatëse, do të veprojmë menjëherë me vendim qeverie për të mbështetur fermerët. Çdo fermer me NIPT do të dëmshpërblehet,” u shpreh ministri.

Duke folur për infrastrukturën e dëmtuar, Ministri Salla sqaroi se problematikat me argjinaturat janë trajtuar me ndërhyrje të shpejta, ndërsa theksoi se do të shikohet mundësia për investime në të gjitha argjinaturat e dëmtuara.

Ministri Salla informoi fermerët edhe për mbështetjen financiare përmes Skemës Kombëtare.

“Ne kemi nisur dëgjesat për Skemën Kombëtare. Bëhet fjalë për një fond prej 52 milionë eurosh në mbështetje të fermerëve, për t’u dhënë mundësi reale përfitimi nga shteti,” theksoi ai.

Sipas ministrit, qeveria ka rritur çdo vit buxhetin për mbështetjen e fermerëve.

“Kemi mbështetur 65 mijë fermerë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ky numër është rritur vit pas viti, paralelisht me rritjen e buxhetit. Këtë vit kemi përfshirë edhe mbështetjen prej 10% të faturimit, nga 1 janari deri më 31 dhjetor. Me faturat e depozituara periodikisht, fermerët do të përfitojnë automatikisht 10% të vlerës së faturimit,” sqaroi Salla.

Ai nënvizoi se dëgjesat me fermerët janë thelbësore për përshtatjen e politikave me nevojat reale të terrenit dhe me legjislacionin e Bashkimit Europian.

“Po i dëgjojmë fermerët, po marrim sugjerimet e tyre për skemën e re dhe po përgatisim sektorin që të jetë gati në vitin 2027, jo vetëm për orientimin e fermerëve, por edhe për mbështetjen e tyre dhe forcimin e sigurisë ushqimore,” tha ministri.

Në përfundim, Ministri Salla garantoi se qeveria ka parashikuar një paketë të posaçme financiare për përballimin e dëmeve nga përmbytjet.

“Kemi hartuar një paketë financiare për mbështetjen e të gjitha dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fundit dhe do të jemi pranë fermerëve në çdo fazë,” përfundoi ai.