Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ishte mbrëmjen e djeshme në Dimal dhe Kuçovë, së bashku me Kryetaren e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, dhe Kryetarin e Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, ku po pa nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Gjatë takimeve në terren, Ministri Salla zhvilloi dialog të drejtpërdrejtë me banorët, fermerët dhe blegtorët e zonës mbi dëmet e shkaktuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Ai theksoi se institucionet janë pranë çdo qytetari dhe po ndjekin nga afër situatën.

“Jemi në terren dhe pranë çdo qytetari. Verifikimi i dëmeve po vijon dhe çdo qytetar, fermer e blegtor i prekur do të dëmshpërblehet”, u shpreh ai.

Sipas Ministrit Salla, procesi i verifikimit po kryhet në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat përkatëse, me qëllim evidentimin e plotë të dëmeve në bujqësi dhe blegtori, si dhe garantimin e mbështetjes për të gjithë të prekurit.