/ATSH/- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur në takim sot drejtuesit e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, të kryesuar nga Daut Demaku, me të cilët diskutoi për arritjet dhe sfidat që kanë të bëjnë me librin, botimin dhe shpërndarjen e tij.
Ministri Shala theksoi se gjatë mandatit të tij, do të ketë një kujdes të veçantë për aktivitetet që kanë të bëjnë me librin. Ai tha se, do të bëhet ndryshimi i politikave në raport me botimin dhe qarkullimin e librit, si dhe furnizimin e bibliotekave.
Ministri ka thënë se duke e ditur rëndësinë e librit, përkrahja për botimin, blerjen dhe shpërndarjen e tij do të jetë vazhdimisht në rritje edhe në forma të tjera, përmes mbështetjes për organizimin e panaireve dhe aktiviteteve që kanë të bëjnë me librin dhe botimet e tjera në përgjithësi.
Drejtuesit e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, e kanë uruar ministrin për detyrën e re dhe presin nga ai të kenë një bashkëpunim të frytshëm, në mënyrë që libri të marrë pozitën e merituar në shoqërinë tonë.