TIRANË - Mos më telefononi për të kërkuar që të anuloj një gjobë, vendosur nga polici i Rrugores ndaj jush, të afërmve apo të njohurve tuaj! U ka komunikuar këtë njoftim të gjithë deputetëve, të opozitës e të opozitës, kreu i ri i dikasterit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Duke u bërë, njëkohësisht, të ditur se këtë komunikim e ka bërë më mënyrë miqësore, por që duhet ta mbajnë parasysh në të ardhmen që nuk do të reagojë ndaj asnjë ndërhyrjeje për të prapësuar gjobat për shkelje të Kodit Rrugor. Ka qenë një nga problemet më të mëdha për policët e sektorit Rrugor ndërhyrja nga lart për të grisur gjoba, vendosur për shkelje të ndryshmë administrative.

Qytetarët kanë qenë në shumë raste të pranishëm kur ka mjaftuar një telefonatë, që një super-makinë të ketë ikur pa lagur, megjithëse kishte parkuar në rradhë të dytë e të tretë, kishte kaluar me dritë të kuqe në semafor, ose kishte përplasur ndonjë fatkeq me dëmtime të lehta.

Kjo ndërhyrje ka qenë shkatërrimi i çdo përpjekjeje për të sistemuar situatën kaotike në qarkullimin rrugor, ku shumëkush sillet sipas qejfit, pa rripa sigurimi, duke kaluar në kundër-sens, etj. 

Shkrimi u publikua sot (22.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)